Politika Dorëheqja e Halimit, Patozi ironi me Bashën: E doja, por s’më deshi,...

Dorëheqja e Halimit, Patozi ironi me Bashën: E doja, por s’më deshi, si dashnore e lënë rishtas

Ish-deputeti i PD, Astrit Patozi ka reaguar ndaj deklaratës së Lulzim Bashës për largimin e Eduart Halimit, duke e quajtur një deklaratë të panevojshme.

“E doja, por s’më deshi”, thotë pak a shumë Lulzim Basha për ikjen e papritur nga parlamenti të Eduard Halimit. Njësoj si dashnore e lënë rishtas, thotë një miku ynë në raste të tilla”, shkruan Patozi me ironi në postimin e tij.

Reagimi i plotë:

E DOJA, POR S’MË DESHI…

Nga Astrit Patozi

E doja, por s’më deshi”, thotë pak a shumë Lulzim Basha për ikjen e papritur nga parlamenti të Eduard Halimit. Njësoj si dashnore e lënë rishtas, thotë një miku ynë në raste të tilla.

Se Lulzimi ka një problem të madh. Hesht atëherë kur duhet të flasë dhe bërtet atëherë kur duhet të mbyllë gojën.

Sot nuk ishte dita për të folur, por për t’u fshehur gjëkundi, megjithë politesën politikisht korrekte të Eduard Halimit, që përcillej me maturi në dorëheqjen e tij.

Por Luli nuk të lë as të ikësh rehat, ndaj edhe foli, njësoj si ata që për të vënë vetulla, nxjerrin sytë e tyre. A thua se nuk mjaftonte shpjegimi i të zotit të punës, i cili, jashtë çdo diskutimi, ishte ndër deputetët më të zotë të Partisë Demokratike në këtë legjislaturë.

Sepse nga dëshira që të mos lexohej, se prej tij po largohen, si prej zgjebes, e bëri edhe më të kuptueshme atë që po ndodh realisht në Partinë Demokratike.

I kërkoj ndjesë Eduard Halimit për këto rreshta, sepse nuk do të kisha guxuar kurrë të komentoja vendimin e tij, nëse nuk do të kishte hyrë në valle, për të zezën e vet, Luli.

Dhe këtë të fundit e kisha të pamundur të mos e respektoja për atë që tha.