Monika Kryemadhi u shpreh nga protesta te Parlamenti se tashmë është populli që e drejton atë dhe jo opozita.
Kryetarja e LSI tha se populli nuk është mbledhur në këtë protestë për hallet e Bashës apo të saja, por për problemet e tij.
“Kjo nuk është revolta e një opozite, por revolta e një populli, i cili nuk është ngritur as për hallet e Lulit as për hallet e Monës. Njerëzit këtu janë ngritur për problemet e tyre. Edi Rama ka kaluar çdo cak me shqiptarët dhe ata nuk kanë për ta falur. Tashmë protestën e dorëzon populli”, tha Kryemadhi.
E pyetur për deklaratat e një dite më parë të Presidentit Ilir Meta, i cili tha se është i gatshëm të lërë mandatin nëse shërben për zgjidhjen e krizës.
Por u mundua ta anashkalojë, duke thënë se LSI i ka të qarta qëndrimet e saj. “Si bashkëshorte nuk merrem fare me punën politike. Si kryetare e LSI, ne e kemi shumë të qartë pozicionin tonë, në marrëdhënie me Parlamentin, Qeverinë dhe reformën në drejtësi, e cila ka dështuar”, tha Kryemadhi.