Politika Dorëhiqet kreu i Parandalimit të Pastrimit të Parave

Dorëhiqet kreu i Parandalimit të Pastrimit të Parave

Ka dhënë dorëheqjen drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Alket Hyseni.
Burimet thanë se dorëheqja i është dorëzuar sot kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Financave Arben Ahmetaj.

Hyseni u emërua drejtor i Parandalimit të Pastrimit të Parave në Qershor 2016 dhe zëvendësoi Gent Gazhelin që u emërua ambasador në Turqi.

DPPP, lufton pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Më parë Hyseni ka qenë kryetar i Task Forcës së Kryeministrit për Pronat.

“Panorama” mëson se motivi i kësaj dorëheqje ka lidhje me zbatimin e vetingut.

j
letra e doreheqjes

Letra e dorëheqjes:

Sic ju jeni në dijeni, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave do të luajë rolin e saj të ngarkuar nga ligji në hetimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të kalojnë në muajt në vazhdim në sitën e procesit të vetingut.

Për shkak të këtij roli, emri im është sulmuar gjithmonë e më shpesh në javët e fundit, nga të gjithë ata që nuk kanë interes që reforma në drejtësi të gjejë një zbatim të shpejtë dhe efikas.

Duke qenë i ndërgjegjshëm që reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm, e duke qenë i bindur se është në interesin e të gjithë shoqërisë shqiptare që ky proces të zhvillohet sa më shpejt, ndiej se largimi im nga funksioni që kryej do të shërbejë për të eliminuar cdo alibi të të gjithë atyre që frikësohen nga reforma dhe pikësëpari nga vetingu.