Drejtori i Inteligjencës Kombëtare në SHBA, Dan Coats, është bërë figura më e fundit e profilit të lartë që largohet nga administrata Trump. Në një postim në Twitter, vetë Trump tha se Coats do të dorëhiqej në mes të gushtit dhe se ai do të nominonte kongresmenin teksan John Ratclif si zëvendësues të tij. Trump tha se Ratcliff do të udhëhiqte dhe frymëzonte madhështinë e vendit që donte.
Coats dhe Trump janë përplasur shpesh bashkë për sa i takon Rusisë dhe Koresë së Veriut. Si drejtor i inteligjencës kombëtare, Coats duhej të mbikqyrte të 17 agjencitë amerikane të inteligjencës, përfshirë CIA-n dhe NSA.
Gjatë mandatit të tij, vlerësimet e Coats, kundërshtoheshin në mënyrë të vazhdueshme nga presidenti, që ka qenë kritik ndaj agjencive të inteligjencës. Në janar, presidenti i quajti shefat e tij të inteligjencës pasivë dhe naivë në vlerësimet për kërcënimet që vinin nga Irani.
Coats është më i fundit në një varg zyrtarësh të administratës Trump që largohen nga Shtëpia e Bardhë, mes të cilëve Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis dhe ai i Shtetit, Rex Tillerson. Në letrën e tij të dorëheqjes, Coats nënvizonte se komuniteti amerikan i inteligjencës është bërë më i fortë se kurrë gjatë mandatit të tij prej dy vitesh e gjysmë. Dhe si rezultat, shkruan ai, besoj se tani ka ardhur koha për mua të hap një kapitull të ri në jetë.