Kryesore Dorëzohet mazhoranca, seanca e posaçme për Arben Ahmetajn do të mbahet nesër

Dorëzohet mazhoranca, seanca e posaçme për Arben Ahmetajn do të mbahet nesër

Seanca e posaçme për Arben Ahmetajn do të mbahet ditën e nesërme, të premten në orën 10:00. Vendimi u mor nga Konferenca e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Opozita kërkoi sot që të vihet në rendin e ditës raporti për imunitetin e Arben Ahmetaj që u refuzua nga mazhoranca.

Pas disa orësh debat dhe pasi penguan vijimin normal të seancës, Taulant Balla, kërkoi që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të gjetur një zgjidhje.

“I kërkoj kryetares së Kuvendit ta ndërprisni seancën, të bëjmë një konsultë me anëtarët e Konferencës së kryetarëve dhe mendoj që të gjithë kemi dëshirën e mirë sepse është shprehur edhe në Këshillin e Mandateve për të gjetur një zgjidhje”, tha ai.

Debatet

Seanca e sotme plenare është shoqëruar vazhdimisht me tensione mes palëve politike. Nga njëra anë është opozita që kërkon me këmbëngulje një seancë urgjente ku të diskutohet çështja e Ahmetajt dhe nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla që e kundërshton duke e cilësuar të paligjshme.

Prej debateve, nuk u bë e mundur as të raportojë mbi zgjedhjet lokale të këtij viti, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.

Gazment Bardhi-Lindita Nikollës: Ke 3 orë që ke lexuar 70 nene të rregullores që s’kanë asnjë lidhje me rendin e ditës, për ju rregullorja është ashtu si një deputet i juaji. Paçavure e bëni sa herë të doni, kur ju kërkojnë grupet kriminale të kaloni me urgjencë ligjin për kanabisin e bëni ju. Keni 3 orë që bllokoni seancën. Keni nxjerrë urdhër ju që të mblidhet Komisioni i Ligjeve për të diskutuar ligjin e kanabisit, pra për grupet kriminale ju nuk pyesni për rregullore, ndërsa për ta çuar Ahmetajn sa më shpejt para drejtësisë duhen procedura. Seanca nuk vazhdon dot, nuk kemi nevojë për raportin e komisionerit të zgjedhjeve, po pati ndonjë raportim për tenderat ok, kemi paraqitur një kërkesë, e ke për detyrë ta hedhësh në votim, rrëzoje, por s’mund ta injorosh. Parlamenti nuk është Zoti juaj, të drejtat e opozitës nuk i mohon dot as ti e as Rama i cili momentalisht ndodhet me pushime në Dhërmi.

Lindita Nikolla: Nuk e hedh dot në votim një kërkesë që nuk ka substancë. Nuk janë njoftuar deputetët me raportin dhe e dyta sepse vendosëm në Këshillin e mandateve që do bëhet të Premten në orën 12, nuk është njoftuar deputeti.