Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një mbledhje në Velipojë me Këshillin Koordinues për Veriun i Partisë Socialiste. Në takim morën pjesë deputetët e qarqeve të veriut, kryetarët e bashkive si përfaqësuesit politikë të mazhorancës.
Gjatë mbledhjes, deputeti i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, dhe deputeti socialist Paulin Sterkaj kanë kërkuar që të dëgjohen më shumë nga Senida Mesi dhe Luan Harusha përsa i përket emërimeve të drejtorëve në Shkodër.
Rama ka kërkuar që të ulen bashkë dhe të vendosin për propozimet.
“Kur unë ulem me Ilir Metën dhe Sali Berishën pse nuk uleni ju me njëri-tjetrin? Toma është parti tjetër, por është aleati ynë, ndërsa Paulini është përgjegjës për Malësinë së Madhe, por ka të drejtë të japë mendim për drejtorët rajonalë që prekin edhe këtë bashki”, citohet të ketë thënë Rama në mbledhje.
Organikat e tej fryra të bashkive ka qenë një prej shqetësimeve të ngritura në mbledhje dhe Rama ka caktuar Ilir Beqjen që të rishikojë këto organika të bashkive të veriut, për të propozuar struktura të reja, me staf më të reduktuar.