Kryesore Dosja “Babale”, Apeli e dënon Ervin Salianjin me një vit burg

Dosja “Babale”, Apeli e dënon Ervin Salianjin me një vit burg

Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të lerë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Ervin Salianjin dhe dënimin e tij me një vit burg për çështjen “Babalja”.

Kujtojmë se deputeti demokrat u dënua nga Shkalla e Parë për kallëzim të rremë në lidhje me përgjimet në maj të vitit 2018.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin.

Në sallën e gjyqit, Salianji shoqërohej nga kolegët e tij deputetë të Partisë Demokratike.

Ndërkohë, gazetarët raportuan se pas vendimit Salianjit “po i dridheshin duart, po pinte ujë dhe po përpiqej të ruante qetësinë”.

Çfarë ndodh tani me Salianjin?

Pas vendimit do duhet që Ervin Salianji të shkojë në qeli pasi vendimi i Gjykatës së Apelit është i ekzekutueshëm.

Prokurori pas leximit të vendimit do duhet të nxjerrë urdhrin e ekzekutimit të vendimit. Më pas kjo do t’i dërgohet komisariatit përkatës për ta marrë e për ta dërguar Salianjin në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.

Nga aty, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vendosë se ku do të vuajë dënimin Salianji.

Ervin Salianji është deputet dhe ka imunitet, por çfarë parashikon ligji?

Neni 71, pika 2, shkronja dh, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.