Politika Dosja “Babale”, Apeli shtyn vendimin për Salianjin

Dosja “Babale”, Apeli shtyn vendimin për Salianjin

Pas më shumë se 4 orësh seancë gjyqësore, Apeli ka shtyrë vendimin për deputetin demokrat, Ervin Salianji në lidhje me çështjen “Babale”.

Vendimi përfundimtar për Salianjin do të jepet më 26 shtator, ora 13:00.

Gjatë seancës në Apel, deputeti Salianji ka thënë se denoncimet e tij janë provuar.

“Geron Xhafa ishte i dënuar në Itali për drogë dhe ishte i lirë në Shqipëri dhe kishte vëllain ministër të brendshëm. Ne nxorëm dokumentin dhe e denoncuam, por s’pati asnjë reagim. Pasi ai lëvizi i lirë për 8 vite pas denoncimit, ai u vetëdorëzua në Romë për të vuajtur dënimin. E çuan qëllimisht në Itali, Agron apo Geron Xhafajn që të mos merrej zëri origjinal i tij. Zëri i tij u dorëzua me një USB nga avokati”, tha deputeti demokrat.

Më tej, Salianji është shprehur se janë përdorur prokurorët dhe gjykatësit e çështjes: “Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë përfshirë janë të gjithë të shkarkuar. I përdorën, i morën i hodhën. Gjyqtarët që janë marrë me çështjen janë të dy të shkarkuar”.

Gjatë fjalës së tij në gjykatë, deputeti demokrat ka deklaruar se nuk ka asnjë njohje me Fredi Alizotin dhe Albert Veliun (Babalja).

“Përkojnë qelizat telefonike për të tre. Si ka mundësi që qelizat pulsojnë te lokali i Geron Xhafës? Apo edhe këtë e manipuluam neve? Më akuzojnë që kam dhënë para, 200 mijë Euro. Sms e parë ishte nga Olldashi, del nga tabulatet e përgjimit, që del qartë se hetimi është bërë nga gazetari Olldashi”.

Salianji ka theksuar se denoncimin do ta bëjë prapë pasi detyra e tij është të mbrojë interesin publik.

Sipas Salianjit, ky proces është i montuar për interes të Partisë Socialiste.

“Po sjell fakte sesi ky është një proces i montuar për interesa të partisë në pushtet. Geron Xhafa zërin e vet e përgënjeshtron me shkrim, nëse nuk ishte ai dilte me zë e figurë. Nuk del njeriu të përgënjeshtrojë veten, por del me shkrim. Domethënë, ky zërin e vet e përgënjshtron me shkrim, edhe duhet të dënohem unë”, tha Salianji.

Avokatët Ledio Braho e Redi Ramaj kërkojnë prishjen e vendimit të Shkallës së Parë ndaj Salianjit dhe deklarimin e pafajshëm të tij.

Ndërkohë, Prokurori i Apelit, Arben Qose e ka vlerësuar të drejtë vendimin e Shkallës së Parë teksa ka  shtuar se shkaqet e ngritura në ankimimin e Salianjit nuk janë të mbështetur në ligjin procedurial penal.

“E vlerësojmë të drejtë vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë. Nuk evidentojmë shkelje procedurale gjatë gjykimit. Në lidhje me ankimin e Olldashit dhe Salianjit, vërej që argumentet janë njësoj. Pa dashur të hyj në dinamikën e faktit penale, vlerësoj se shkaqet e ngritura në ankim nga dy të pandehurit nuk janë shkaqe që mbështeten në ligjin procedural penal”, tha prokurori i Apelit, Arben Qose.

Në përfundim të fjalës së tij në sallën e gjyqit, prokurori Qose kërkon që vendimi i Shkallës së Parë të lihet në fuqi.

“Në vlerësimin tonë provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, që e kanë konsumuar veprën penale për të cilën akuzohen. Vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë. Në tërësinë e vlerësimit të provave, tabulatet telefonike, komunikimet provohet jo vetëm njohja, por edhe dita kur kanë regjistruar audio-përgjimin. Në përfundim, vlerësoj se vendimi i gjykatës është i drejtë dhe kërkoj të lihet në fuqi”, përfundoi prokurori i Apelit.

Salianji u shpall fajtor nga Shkalla e Parë me një vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen “Babale”. Në Apel, çështja është dërguar dhe nga gazetari Jetmir Olldashi, i cili në Shkallën e Parë u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti.