Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, është thirrur në SPAK këtë të hënë për të dhënë shpjegime lidhur me çështjen e Jurgis Çyrbjes. Ai ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme i shoqëruar nga një efektiv policie, pasi ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi” deri në momentin që do marrë vendim Apeli i Posaçëm. Kjo sepse Dako u dënua nga GJKKO me 2 vite e 8 muaj burg rreth një javë më parë, i akuzuar për “shpërdorim detyre’ në dy raste.
Për dosjen “Çyrbja” do të thirren për të dëshmuar edhe zyrtarë të tjerë të Durrësit.
Ish-deputeti Jurgis Çyrbja u vu në pranga më 20 tetor 2024, i dyshuar për bashkëpunim me bandat kriminale në Durrës. Akuzat që rëndojnë ndaj tij janë “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror”.
Ish-deputeti socialist u arrestua në Durrës, teksa ishte duke udhëtuar me makinë. Së bashku me të u prangos edhe Ahmet Masha, një emër i njohur për drejtësinë dhe policinë.