Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencën për grupin e Laert Haxhisë dhe çështjen ia ka kaluar SPAK-un për hetim.
Grupi i Laert Haxhiut u godit gjatë operacionit “Kurrë mos harro” pas dëshmisë së Artan Tafanit. Ky i fundit, anëtar i bandës së Laert Haxhiut, u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe rrëfeu krimet e këtij grupi.
Nga dëshmia e Tafanit u zbardhën 6 vrasje si dhe krime të tjera, por që një pjesë tjetër janë ende në proces verifikimi dhe hetimi.
I shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës, ngjarje ku u vranë dy vetë e u plagosën dy të tjerë, Haxhiu u arrestua në Greqi në maj të këtij viti, teksa po gjykohej në mungesë në Gjykatën e Posaçme. Për të njëjtën ngjarje në një proces të veçuar GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.
Ai u kap në Janinë ndërsa shërbimet e policisë së shtetit helen i gjetën leje qëndrimi greke të falsifikuar, me emrin Mikis Askalidis 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.
31-vjeçari është dënuar me 18 vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.