Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha për mediat të hënën jashtë Prokurorisë ku ishte thirrur për të dëshmuar në lidhje me dosjen e lobimit në SHBA, se PD dhe zyrtarët e saj nuk kanë shkelur ligjin as në Shqipëri, as në Britani dhe as në SHBA.
Kryedemokrati i kërkoi Prokurorisë të zbardhë letërporositë e mbërritura nga Britania e Madhe dhe SHBA, siç tha ai para 6 muajsh.
“Dua të bëj të qartë se hetimi i kërkuar nga PD, i hapur prej 1 viti e gjysmë bëhet mbi bazën e nenit 190 mbi çështjen e plotësimit të formularëve të deklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nëse këto formularët janë mbushur apo jo siç duhet. Në prokurori isha për të dhënë informacion për persona që mund të kenë lidhje me hetimin”, tha Basha.
As PD dhe asnjë drejtues nuk ka shkelur asnjë ligj as në Shqipëri, as në Britani dhe as në asnjë vend tjetër.
“Edhe një herë, unë ju nxis t’i kërkoni prokurorisë t’i bëjë publike përgjigjet e letërporosive të mbërritura nga jashtë vendit, si nga SHBA edhe nga Britania para 6 muajsh, të cilat vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj.”