Në vitin 2016 në Lushnje është ngritur një grup i strukturuar kriminal me qëllim kryesor eliminimin e Xhulio Shkurtit, nipit të kreut te bandës së Lushnjës, Afred Shkurti, i njohur si Aldo Bare.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, SPAK, tre anëtarë të dyshuar të grupit, Laert Haxhiu, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi 11 tetorin e atij viti hapën zjarr drejt disa personave në lagjen “Loni Dhamo” të Lushnjes.
Plumbat vranë Zamir Latifin e Jurgen Hoxhën dhe plagosën Marjus Xhepexhiun e Bujar Turkun, por nuk prekën shënjestrën, Xhulio Shkurti, që rastësisht pak minuta më parë ishte futur në një dyqan aty pranë.
Sipas dosjes së SPAK të dorëzuar tashmë në Gjykatën e Posaçme, dështimi i një tentative të mëparshme për vrasjen e Shkurtit në vitin 2016 ka qenë shtysa që Laert Haxhiu të krijonte një grup të strukturuar kriminal për eliminimin e tij.
Pas shtatorit të vitit 2016, në një kohë të papërcaktuar saktë, Haxhiu ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, ku janë bërë pjesë shokët e tij Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Pjesë e grupit, sipas
prokurorisë, janë edhe persona të tjerë, ende të paidentifikuar, që i kanë ndihmuar për vjedhjen e mjetit të vrasjes, targave të tij, gjetjen e tre kallashnikovëve, dy prej të cilëve janë përdorur në ngjarje.
Sipas SPAK, ngjarja ka pasur si motiv hakmarrjen, referuar një historiku konflikti me familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut, nisur që gjatë veprimtarisë së bandës famëkeqe të Lushnjës në vitin 1998.
Haxhiu, Bilbili e Kaloshi akuzohen për një sërë veprash penale mes të cilave “vrasje në rrethana të tjera cilësueses” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Burimi: A2 CNN