Dosja ndaj mjekëve të Onkologjikut i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme.
Pas dyshimeve se të akuzuarit kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të shpallë moskompetencë dhe të kalojë aktet hetimore në SPAK për vazhdimin e hetimit.
Përveç “grupit të strukturuar kriminal”, mjekët do të hetohen edhe për korrupsion.
Me kalimin e dosjes në SPAK, brenda 10 ditësh, të dyshuarit do të paraqiten në Gjykatën e Posaçme për rivlerësim të masave të sigurisë.
Mjekë të spitalit “Nënë Tereza” kishin zgjedhur që t’u mos u japin shërbim qytetarëve në shtet, por i orientonin drejt spitaleve pritave, aty dhe ku punonin.
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka përfunduar me 8 masa sigurie “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” për mjekë të Spitalit Onkologjik, të firmosura nga Gjykata në kryeqytet.
Referuar burimeve zyrtare, këtë mjekë, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza”, kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin.
Gjithashtu, ajo që është po aq e rëndë, është se në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Për fat të mir, gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar.
Në kuadër të këtyre hetimeve, janë ushtruar kontrolle edhe në disa farmaci ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore.