Gjatë konferencës së përjavshme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet edhe për thirrjen e Autoritetit të Dosjeve, e cila publikoi një dokument ku thuhej se një politikan i lartë me iniciale I.M ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Berisha hodhi poshtë akuzat që të bëhej fjalë për Ilir Metën. Sipas tij, Kryeministri Edi Rama e ka organizuar këtë kurth së bashku me SHISH.
“Nuk ka akt më të shëmtuar. Edi Rama bashkë me SHISH që e ka organizuar e ka bërë në mënyrën më të trashë këtë kurth, e ka stisur në mënyrën më të trashë. Cilido që lexon emailin e ka të qartë se I.M është Ilir Murati nga Librazhdi dhe Filip Talo është nga Librazhdi. Nuk ka asnjë lidhje me Ilir Rexhep Metën. Edi Rama ka keqpërdorur, ka keqshfrytëzuar në mënyrë më të shpifur qoftë kryetaren e autoritetit, qoftë Linda Nikollën. Mund t’ju them ju që në dokumentin që Genta Sulo i drejton Linda Nikollës, akuzon direkt Ilir Metën për bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Një akt i pashembullt. Kjo zonjë është keqshfrytëzuar në mënyrë ekstreme nga Edi Rama për arsye që i di vetë.
Linda e parlamentit del dhe u thotë shqiptarëve që jam e tronditur nga dokumenti që ka dalë. Histori të turpshme. Zyrtarë primitivë që nuk kanë asgjë të përbashkët me integritetin e zyrtarit. Ky është kurthi që organizon Edi Rama, në mënyrë që mund të përdorë SHISH për fabrikim dokumentesh”, u shpreh Berisha.