Në dosjen e SPAK për tenderin e uniformave të policisë me vlerën kolosale prej 2.8 miliardë lekësh është zbuluar një përplasje mes Policisë së Shtetit dhe anëtarëve të Komisionit të Prokurimit. Policia e Shtetit kishte bërë një sërë specifikimesh dhe korrigjimesh në mallrat që do të bliheshin. Pasi ka ndryshuar uniformat e policisë, grupi i punës i ngritur nga Ardi Veliu ka saktësuar se këto ndryshime nuk sjellin asnjë ndryshim në vlerën totale të tenderit.
Por ky pretendim është kundërshtuar nga ish-Drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar, Edlira Naqellari, e cila ka pretenduar se korrigjimet e policisë i shtojnë kostot. Megjithëse në fund të korrespondencës mes institucioneve, Policisë së Shtetit i kërkohet një tabelë si shumatore e të gjitha mallrave, por grupi i punës i ngritur nga Ardi Veliu nuk është përgjigjur, thuhet në dosje, duke shprehur rezerva për shumën që ishte parashikuar.
Kundërshtitë e Policisë së Shtetit janë shprehur edhe përmes një prej anëtareve të Njësisë së Prokurimit, inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla, e cila nuk e ka firmosur tenderin. Ajo thotë se nuk ka pranuar t’i nënshkruajë dy tabela për faktin se ishin bërë ndryshime në sasitë e pritshme të artikujve.
Ish-zyrtarët e arrestuar të Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit prej 2.8 miliardë lekësh. Një tjetër pikë problematike është edhe parashikimi i një shumë prej 35 milionë lekësh për sistemin elektronik të shpërndarjes së uniformave.
Çdo punonjës policie të pajisej me një kartë që të mund të tërhiqte uniformën, që kjo nuk u realizua asnjëherë, megjithëse paratë u paguan.
Në dosjen e SPAK për ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme që firmosen tenderin për uniformat e policisë janë bashkuar edhe dy tendera të tjerë abuzive. I pari është për furnizimin e një sasie mishi, ndërsa tjetri për shërbimin e lavanderisë në Policinë e Shtetit, ku prokurorët e SPAK dyshojnë se janë kryer abuzime nga i njëjti grup personash, raporton Tv Klan.