Në dosjen voluminoze të njerëzve të drejtësisë, policisë dhe biznesit që u godit nga SPAK, evidentohen rolet e 15 të pandehurve. Mes tyre është edhe ish-drejtuesi i forcave operacionale, Oltion Bistri, i cili shfaqet duke kryer komunikime të shumta me emrat e tjerë, pjesë e dosjes.
Bistri rezulton se ka biseda telefonike komunikime me Ervis Martinajn, duke i dhënë informacione të ndryshme, por edhe për aksionet që bëheshin për kapjen e tij. Këto komunikime i përkasin kohës kur Oltion Bistri është emëruar në detyrën e drejtorit të Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit.
Komunikime janë evidentuar edhe me biznesmenin Pëllumb Gjoka. Bistri e ka toleruar këtë të fundit pas konstatimit të shkeljeve në biznesin e tij të lojërave të fatit. Përveç shkeljeve, prokuroria argumenton se Bistri komunikonte me biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe për ta lajmëruar për kontrolle në një biznes të tij në zonën që mbulohet nga komisariati 2. Këto komunikime i përkasin kohës kur Bistri ishte shefi këtij komisariati.
Rol të rëndësishëm në këto ngjarje kishte edhe prokurori Xhevahir Lita. Në dosjen hetimore thuhet se Lita ndërhynte në proceset ndaj Bajrajve duke u pushuar akuzat apo mbyllur hetimet por edhe duke ndërhyrë edhe tek procese të tjera që nuk i kishte vetë.
Në një episod gjatë komunikimeve në aplikacionin “SKY”, Lita u shprehet të pandehurve të tjerë që gjyqtari nuk i pranonte lekët për mbylljen e hetimeve.
Klan News