Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilri Beqaj i akuzuar për çështjen e “Sterilizimit”. Burime bëjnë me dije se nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë janë shkelur procedurat e ndjekura për dhënien e koncesionit. Sipas SPAK, procedura e hapur me negocim, është në shkelje të ligjit pasi në atë kohë legjislacioni parashikon procedurë të hapur dhe jo me negocim, në mënyrë që të kishin mundësi edhe kompani të tjera të merrnin pjesë. Sipas organit të akuzës shkeljen e ligjit për mënyrën si janë bërë procedurat, në cilësinë e ministrit Ilir Beqaj duhet që t’i kishte konstatuar.
Po ashtu si ministër i Shëndetësisë Beqaj duhet të kishte konstatuar konfliktin e interesit mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij Klodian Rrepaj. Një tjetër shkelje sipas SPAK është edhe fakti që në cilësinë e titullarit Ilir Beqaj duhet të kishte konstatuar se nga procedurat koncesionare janë fryrë kostot nga ana e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë që mori përsipër të bënte sterilizimin e seteve kirurgjikale.
Në bazë të hetimeve me prova shkresore, SPAK ka dyshime se kompania që fitoi koncesionin është favorizuar nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe kjo gjë është lejuar edhe nga ish-ministri Beqaj. Ai akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës e kryer në bashkëpunim dhe ndaj tij është caktuar masa “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për daljen jashtë vendit”.
Në dosjen e parë për koncesionin e sterilizimit të seteve kirurgjikale, SPAK ka konstatuar edhe lidhjen mes Beqaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Ata kanë udhëtuar disa herë së bashku në drejtim të Italisë dhe Vjenës. Po ashtu ka pasur edhe shkëmbime mesazhesh në e-mail midis tyre. /Klan News