Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurimit arrest në burg për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu.
Po ashtu arrest në burg u la edhe për anëtarët e arrestuar të grupit të Suel Çelës, Marsel dhe Xhino Roka.
Ndërkohë Apeli ka shfuqizuar masën e sigurimit detyrim paraqitjeje për gazetarin Elton Qyno.
Ndaj Qynos ishte në fuqi masa detyrim paraqitje për veprën penale korrupsion pasiv në sektorin privat, në kuadër të procedimit penal për dosjen e Suel Çelës.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme lëshoi 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në krimin e organizuar, ish-zyrtarë të drejtësisë, policisë, si dhe 2 gazetarë. 18 prej masave të sigurisë ishin “arrest në burg” dhe 3 të tjera më të lehta, si ajo e “arrestit në shtëpi” dhe “detyrimit për t’u paraqitur” kur goditi grupin e Çelës.
SPAK tha se arriti të zbulonte dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, drejt vendeve të Bashkimit Europian u dokumentuan nga ky hetim dhe SPAK thotë se me paratë e fituara nga trafiku, organizata ka financuar ndër vite eliminimin e kundërshtarëve në qytetin e Elbasanit.
Mes ngjarjeve të bujshme të zbardhura është tentativa e vrasjes ndaj Ardian Çapjes, në Gusht të 2020, me snajper nga Kodra e Krastës në Elbasan. Ardian Çapja ndodhet në qeli i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të 2012.
Për realizimin e qëllimeve të veta kundër kundërshtarëve të tyre, apo edhe për të krijuar mbrojtje për vete, organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të drejtësisë, policisë dhe medias.
Organizata kriminale, nga hetimet e përbashkëta të kryera mes SPAK, Belgjikës, Francës dhe Ekuadorit, tregoi se paratë përdoreshin për financimin e blerjes së kokainës, silleshin kesh në Shqipëri dhe investoheshin në biznese në dukje të rregullta.