Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, se qëndron pas heshtjes së Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për rastin McGonigal.
Sipas asaj që deklaroi në një konferencë për mediat kryedemokrati Berisha, ambasadorja Yuri Kim e ka këshilluar kreun e qeverisë që të mos bëjë asnjë deklaratë për dosjen e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal.
“…Ndaj kësaj ngjarje tronditëse, Edi Rama u zhduk pesë ditë me kodin absolut të heshtjes. Edi Rama nuk foli një fjalë, u sëmur nga gripi diplomatik, burime të tjera thonë se fluturoi jashtë vendit, por një gjë është e sigurtë; 5 ditë me radhë, në një kohë kur të gjitha mediat e botës lakonin për zi emrin e tij, për fat të keq dhe të Shqipërisë, që kishte përdorur një ish-oficer të sigurimit të shtetit për të korruptuar njeriun më të jashtëzakonshëm të agjencisë më të fuqishme të planetit, shefin e kundërinteligjencës së FBI-së, Charles McGonigal. Edi Rama hesht si kurrë ndonjëherë në jetën e tij. Burime plotësisht të besueshme më kanë informuar se në heshtjen e Edi Ramës, një rol të veçantë ka guvernatorja Yuri Kim. E cila i ka kërkuar atij të mos bëjë asnjë deklaratë. Po këto burime informojnë se, deklarata qesharake e Edi Ramës për të përgënjeshtruar miqësinë e tij me McGonigal, të cilin edhe mediat më të mëdha amerikane po e tallin, ka qenë një këshillë e guvernatores“, tha Berisha.
Të njëjtat akuza Berisha kishte edhe për paraardhësin e tij Lulzim Basha. Sipas kreut të PD-së, ky ishte rasti që Basha të reagonte për aksionet që Rama kishte ndërmarrë kundër opozitës.
“A mund të imagjinoni ju ndonjëherë, një rast kur krimineli që e vrau atë, që përdori një nga njerëzit më të fuqishëm të planetit në fushën e zbulimit kundër tij, tani nuk flet prej 7 ditësh asnjë fjalë, sikur nuk ekziston. Ftoj shqiptarët të pyesin: si ka mundësi? Si ka mundësi që ky njeri tani që u bë e qartë se Edi Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë në aferën Muzin kundër tij, nuk thotë një fjalë të vetme. Gjithçka flet se përsëri, guvernatorja qëndron prapa heshtjes së tij”, tha Berisha.
Berisha kërkoi po ashtu që FBI dhe organe të tjera në SHBA të hetojë edhe takimet e McGonigal me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Edhe kjo e fundit sipas tij, duhej të kishte reaguar për çështjen në fjalë.