Prej kohësh në Tiranë përflitet se në zyrat e Prokurorisë së Posaçme, është mbyllur në mënyrë ‘hermetike’ një dosje ku përmenden emra të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, që janë pjesë e përgjimeve në SKY ECC.
Kjo dosje, sipas analistëve të ftuar në emisionin “Top Story” përmban të dhëna tronditëse, që do të fusnin në kolaps vetë sistemin e drejtësisë, për shkak të emrave të rëndësishëm që përmenden në akte korruptive, dhe ndërhyrje për çështje të ndryshme gjyqësore.
Sipas gazetarit Ferdinand Dervishi, dosja në fjalë, e cila ka një vendim gjyqësor nga SPAK, për të mos u publikuar, i përket operacionit dhe hetimeve që çuan në pranga kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka.
Ky i fundit duket se nuk ka vepruar i vetëm, por në bashkëpunim edhe me kolegë të tij brenda sistemit të drejtësisë, një pjesë e të cilëve madje, e kanë kaluar Vetingun, dhe janë pjesë e organeve më të larta.
Biseda në studio:
Lorenc Vangjeli: Po ju rrëfej diçka që flitet shumë në kafet e Tiranës, por që nuk është përmendur ende. Bëhet fjalë për një dosje gjyqësore, që ka për subjekt personazhe të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare. Ka një vendim gjyqësor, që e konsideron nxjerrje të sekretit hetimor të dhënat e kësaj dosjeje dhe ndalon publikimin e të dhënave, është një dosje me dhjetëra faqe. Nëse janë të vërteta ato që qarkullojnë…
Ervin Karamuço: Do ta kalonte në kolaps të gjithë sistemin e drejtësisë, e kemi përmendur po, po…
Vangjeli: Kujton atë që në mitologji quhej një nga trimëritë e Herkulit, kur i thanë Herkulit që duhet të pastronte hauret e mbretit, ishte e pamundur që ta bënte
Grida Duma: Jo, jo, mos më ço në mitologji tani
Vangjeli: Herkuli devijoi lumin dhe e futi në stallë, dhe e çoi pastaj në det
Duma: Çfarë nivelesh prek dosja?
Vangjeli: Prek nivele drithëruese
Ferdinand Dervishi: Mos gaboj që bëhet fjalë për dosjen e prokurorit të Vlorës, nuk e dimë se çfarë ka brenda ajo dosje, flitet për gjyqtarë dhe prokurorë…
Vangjeli: Bëhet fjalë për personazhe të drejtësisë së re që e kanë kaluar dhe Vetingun. Ne na merr berihaja dhe sulemi të gjithë në një drejtim, dikur në Tiranë kur komunikoje me njerëz të rëndësishëm, të thonin, pse nuk e ke ti këtë aplikacionin që të flasim aty. Edhe për ministra, deputetë, drejtues të lartë të policisë, dhe banditë.
Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka akuzohet se në bashkëpunim me oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe të afërmin e të pandehurve, Astrit Vladin kanë ushtruar ndikim të paligjshëm dhe veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv për të ndikuar ecurinë e çështjes “Toyota Yaris” dhe lirimin e të pandehurve. Ky zbulim ngre hije të zeza dyshimi mbi një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh të Krimeve të Rënda dhe Tiranës, që i hetuan dhe i shqyrtuan këto çështje.
Dosja “Toyota Yaris” lidhet me bllokimin e 3.4 milionë eurove në qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit – një dosje që u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, por pas u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe u mbyll me akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi”.