Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish sot lidhur me reformën në drejtësi bazuar në raportin e INFOÇIP, i cili ngre alarmin për Gjykatën e Lartë.
“Të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë për të patur një shqyrtim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm dhe nga një gjykatë e caktuar me ligj, po cenohen haptazi nga grumbullimi i çështjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë, për të cilat askush sot nuk mban përgjegjësi publike dhe askush nuk mundet t’u thotë qytetarëve se kur do të përfundojë shqyrtimi i tyre.
Sot askush nuk mban përgjegjësi publike edhe pse vendi nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese, ku dosjet që presin radhën për shqyrtim janë bërë pirg!
Reforma u bë për qytetarët dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë duhet t’i shërbejë vetëm qytetarëve.
Duhen marrë të gjitha masat që të garantohet sa më shpejt për qytetarët akses i plotë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, dhe brenda një afati të arsyeshëm, si dhe të garantohen të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve që të mos cënohen nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë”, shkruan Meta në Facebook.