Pas ndeshjes së fituar kundër Interit, me adrenalinën e shtuar, Douglas Costa nuk humbi mundësinë për të “thumbuar” drejtorin e Interit (ish-in e Juventusit), Beppe Marotta. Braziliani, i aktivizuar titullar nga Maurizio Sarri në ndeshjen e madhe, pas dyerve të mbyllura, të dielën në mbrëmje, postoi një foto të festimeve të ekipit bardhezi në dhomën e zhveshjes, duke e shoqëruar me statusin (mesazhin): “Bashkimi bën fuqinë”.
Një tifoz e komentoi me ironi: “Kini kujdes nga distancat! Përndryshe, Marotta kërkon fitoren në tavolinë”. Duke aluduar mbi pozicionin e drejtorit të Interit për t’i luajtur ndeshjet e Serie A pas dyerve të mbyllura, Douglas Costa shkroi: “Dyert nuk u mbyllën siç duhet…, ose herën tjetër mbase duhet luajtur me dritat e fikura”. Një shaka, që ngjalli entuziazmin e shumë tifozëve të Juventusit, por të tjerët nuk e pëlqyen atë, duke kujtuar urgjencën dramatike që lidhet me koronavirusin.