Italia po zgjeron fashën e vaksinimit për ata që mund të marrin një dozë përforcuese anti-COVID, ndërsa bota ka nisur të përballet me valën e katërt të pandemisë.
Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza u tha ligjvënësve në Dhomën e Deputetëve të mërkurën se kushdo 40 vjeç e lart mund të marrë dozën e tretë të vaksinës duke filluar nga 1 dhjetori.
Italia ka ofruar tashmë përforcues për ata 60 vjeç e lart që kanë marrë dozën e fundit të vaksinës të paktën gjashtë muaj më parë.
Ekspertët vlerësojnë në masë të madhe shkallën e vaksinimit të Italisë. Pothuajse 84% e atyre 12 vjeç e lart dhe të përshtatshëm për t’u injektuar janë plotësisht të vaksinuar.
Që nga fillimi i pandemisë, Italia gjithashtu ka kërkuar që maskat të mbahen në ambiente të mbyllura në vende si supermarkete, kinema, kisha dhe në tranzit masiv.
Duke njoftuar vaksinimin për ata 40 vjeç e lart, Speranza e cilësoi këtë “një pjesë thelbësore të strategjisë për të luftuar COVID”.
Deri më tani, gati 40% e njerëzve që kanë të drejtë për vaksinën përforcuese në Itali kanë marrë dozën e tretë, sipas shifrave të qeverisë italiane.