Kur Dr. Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare do shfaqej në publik në fillim të këtij viti, në një prej studiove të debatit televiziv, ku do fliste eksperiencën e tij personale si mjek i formuar në Perëndim, por që ishte kthyer në Shqipëri për të kontribuuar për një reformë në shëndetësi, nuk mendohej që pak javë më vonë, me shpërthimin e krizës COVID, do qe një ndër personazhet kryesore të situatës.
Serioz, lakonik, argumentues, ai është ndër referencat kryesore mjekësore të krizës, me të njohurat e të panjohurat e saj.
Në intervistën e mëposhtme, ai ofron, varësisht pyetjeve, disa shpjegime për ca ende të pathëna mbi krizën COVID, ku ndër të tjera është dhe ajo se pse virusi nuk u zhduk gjatë muajve të verës, nën temperatura të larta, siç dhe u paratha se do ndodhte.
Doktor, a ka nisur zyrtarisht vala e dytë, ajo e parathëna që në valën e parë?
Ky moment është vazhdimi i këtij infeksioni që pasi u dobësua gjatë verës, në këtë moment ka të gjitha kushtet në favor të tij. Mund të themi po, kjo është ajo që prisnim dhe kishim parashikuar: duhet të bashkëjetojmë këtë dimër edhe për disa muaj të tjerë me virusin.
Një pyetje për pikëpyetjen e madhe: pse Kina, vendstarti i kësaj flame, s’po përjeton një valë të dytë?
Të gjitha vendet anëtarë të OBSH marrin pjesë në të gjitha projektet e saj, por nuk kanë detyrimin ligjor që ta bëjnë këtë gjë. Startimi i kësaj sëmundje në Kinë tashmë dihet që ishte prezent para 31 dhjetorit të vitit 2019. Respektimi i masave parandaluese në Kinë është i detyrueshëm dhe kjo çon në kontroll të epidemisë. Po ashtu raportimi dhe vërtetësia e të dhënave, mendoj se nuk janë të plota.
Parë globalisht, cilat vende mund të ofrohen si modele suksesi deri më tani dhe pse?
Për fatin e keq nuk ka një model të suksesshëm në këtë pandemi. Asnjë shtet nuk tregoi epërsinë e modelit që përdori në krahasim me modelet e vendeve të tjera. Është e vështirë të vlerësosh një model të mirëfilltë shëndetësor pa ndikimin e politikës në vendimmarrje. Kujtojmë më së miri fazën e parë të kësaj pandemie të cilat patën dy rrugë: lockdawn dhe ato që zgjodhën të mos rrezikonin mbylljen. Po ashtu në këtë muaj pamë më së miri që politika nuk ndalet para rrezikut shëndetësor. Shembull tipik u bënë Shtetet e Bashkuara ku të dy modelet luajtën politikisht me shëndetin e njerëzve.
Kur në fund të pranverës dhe në fillim të verës nisën masat lehtësuese, OBSH nuk qe dakord dhe i konsideroi të parakohshme. Çfarë kishte parasysh, mos këtë që po ndodh tani? Dhe, mos vallë sipas OBSH-së, karantina duhej zgjatur dhe në muajt e verës?
Karantinimi ka qenë masa kryesore që në kohëra shumë të hershme, por sidomos në periudhën e mesjetës, gjatë pandemisë së murtajës, e cila përfundoi vetëm pas karantinimit të të gjithë të sëmurëve në hapësirën e disa viteve. Në këtë fatkeqësi ndihmonte fakti që murtaja ishte e identifikueshme, si rezultat i shenjave që linte në lëkurë. Ndërsa aktualisht kjo pandemi pa shenja të dukshme dhe të paevidentueshme e cila ka marë përmasa botërore e bën të pa mundur dhe të vështirë karantinimin njëherësh. Vetë ndërgjegjësimi i njerëzve është i vështirë dhe kontrolli i tyre po ashtu identifikimi është i vështirë sepse nuk lë shenja.
Vala e dytë është e lidhur domosdoshmërisht me ftohjen e motit?
Të gjithë faktorët kanë rolin e tyre dhe sigurisht që edhe temperatura luan rolin e sajë. Edhe familja e SarsCov, apo koronaviruseve ka treguar që temperaturat e larta kanë rol të rëndësishëm në dobësimin ose asgjësimin e tyre. Faktor të tjerë janë lagështia e ajrit që ndryshon nga vera në vjeshtë dhe dimër, e cila ndryshon mbrojtjen e mukozave të organizmit, e të qëndruarit jashtë kushtëzon shpërndarjen e infeksionit. Ndërsa temperaturat e ulta dhe gumbullimi i njerëzve në ambientet e mbyllura favorizon rritjen e infeksionit.
Të kthehemi dhe njëherë pas. Kur vuanim karantinën, afrimi i stinës së nxehtë ofronte shpresë për shuarjen e virusit nën temperaturat e larta, sipas një tezë të vërtetuar shkencërisht. Kjo u paratha, ndoshta nën eufori, dhe prej ndonjë eksperti shqiptar të shumëpopullarizuar. Mos në rastin e COVID-it ra kjo tezë? Vera erdhi, por COVID-i s’iku.
Sjellja e viruseve ka karakteristikat e veta por të gjitha llojet e tyre pothuajse zhduken në temperatura te larta, pikërisht gjatë verës, ashtu si ndodhi me MERS në 2013. Ishte lirimi i masave në fund të majit dhe fillimit të qershorit që hoqën çdo barrierë mbrojtëse. Ndikim të madh pati në rritjen e përhapjes së virusit edhe transporti publik në mesin e muajit korrik. Virusi ka nevojë për një periudhë inkubacioni nga 2-14 ditë dhe pastaj të dëmtojë qelizat humane dhe të shfaqi simptomat e sëmundjes. Në tre-katër javët pasardhëse u krijua ideja e zhdukjes së virusit. Në këtë moment nuk u respektua asnjë masë mbrojtëse, gjë e cila çoi në përhapjen e infeksionit.
Ju si Komitet Teknik, për të gjithë vendimmarrjen, sa herë kontestoheni, mbroheni me “mosshpikjen e rrotës”; pra, duke e bërë të qartë se veproni sipas një trendi botëror. Por a ka vend për inovacion në këtë rast, a ka vend për ta “shpikur rrotën” këtu në Shqipëri duke devijuar nga trendi me ndonjë risi në praktikat anti-pandemike?
Komiteti Teknik është një grup ekspertësh këshillues, ku secili në fushën e vet bën më të mirën për ta përshtatur sa më mirë me realitetin shqiptar. Edhe në këtë rast ne sillemi me rregullat e pandemisë dhe udhëzuesit mbi sëmundjet infektive. Komiteti nuk mbrohet por argumenton në bazë të indikatorëve për kontrollin e pandemisë. Këto indikatorë janë shumë të qartë siç është numri i të infektuarve, treguesi i inçidencës së infeksionit i cili kur kalon shifrën 1 çon në probleme të kolapsit të sistemit shëndetësor, numri i të sëmurëve dhe shtretërit në dispozicion.
Le të ndalemi te këshillat. Ofroni, fort, si “çekiç mbi kokë”, maskën, distancën sociale, higjienën. Shtoni, por aq shpesh sa trioja e mësipërme, edhe ajrosjen e ambienteve ku ndodhemi.
Po pse nuk ka një potencim te lloji i ushqimit që duhet konsumuar, kur dihet që te ushqimi ndodhet mjeku dhe farmacisti, ndodhet shëndeti dhe spitali. Dhe kur themi ushqim, jo thjesht të mjaftuarit me të përgjithshmen – proteina e vitamina, por dhe duke e specifikuar. A është e mundur kjo lloj risie, që është dhe pa kosto, pra, që t’i ofrohet popullatës një menu?
Sepse asnjë nga ato këshilla nuk u zbatua në periudhën post-karantinë, dhe gjatë lirimit të masave që bëheshin çdo dy javë. Edhe pse treguesit ishin në rritje qytetarët filluan të mohonin prezencën dhe ekzistencën e virusit. Këtë shtytje për fatin e keq e ndihmuan edhe mediat vizive dhe rrjetet sociale. Dëmi i shkaktuar i jepte rezultatet pas tre- katër javësh, nevojat për shtrim në spitale ishin të menaxhueshme pa sforco apo shtesa në personel, aparatura apo materiale.
Ajrosja e ambientit ndalon rritjen e përqëndrimit të virusit dhe ul mundësinë e infeksionit. Sigurisht që mënyra e të ushqyerit në këtë sëmundje ka rëndësi të veçantë. Zakonisht për të gjitha protokollet dhe udhëzimet që këshillon Komiteti i Ekspertëve krijohen grupe pune të fushave përkatëse të cilët i përgatisin ato dhe i sjellin për shqyrtim. Një ide shumë e mirë edhe për nutricionistët që të dalin me një udhëzues për këtë sëmundje.
Siç po shihet, COVID ka dhe pjesën e vet psikologjike, si në shumëçka, ku aspekti psikologjik është vendimtar. A nuk e keni menduar si Komitet Teknik që ndoshta do ishte më e dobishme mosservirja mediatike e fataliteve, pra, fundi i atyre daljeve mediatike të përditshme që nisën me krizën? E gjitha, nëse transparenca nuk ka efekt në ndërgjegjësim, apo më keq akoma, sëmurë psikologjikisht. Ose ose, të niset më të shëruarit e jo me të infektuarit…
Është shumë e drejtë kjo pyetje, por për fatin e keq është e pakontrollueshme. Mediat kërkojnë lajme dhe klikime duke krijuar shpeshherë një dominante që e imitojnë edhe të sëmurë të tjerë. Krijimi i një atmosfere ankthi vë në presion çdo person, veçanërisht personat më të ndjeshëm nga ana emotive. Në pacientët që sëmuren nga Covid-19 ka edhe pacientë me probleme të shëndetit mendor dhe depresion të cilëve u shtohet edhe një stresor tjetër, duke çuar në akte vetëvrasje dhe humbje jete.
Komunikimi ka një rol të rëndësishëm në informimin e njerëzve, por interpretimi i tyre sipas interesit krijon konfuzion. Sidomos kur në media vizive dhe rrjete sociale i jepet hapësirë personave jokompetentë, jo profesionit të fushës. Ndërgjegjësimi i qytetarëve është pika kyçe e epidemisë në vendin tonë dhe i pandemisë botërore. Sa më shpejt dhe sa më shumë njerëz ta kuptojnë atë aq më kollaj dhe më pak humbje jete do të përfundojë ajo.
Në çdo shërbim komunikimi është vendimtar për të qenë pranë të sëmurëve, nëpërmjet të cilit krijohet mundësia e të qenurit afër familjarëve të tyre. Dalja e personave jo kompetent është një problem shumë serioz që çon në një dëm shumë të madh.
Dhe e fundit, tej aspektit mjekësor, ç’është brengosëse për ju si mjek(ë), pra njëjës apo shumës, në aspektin njerëzor?
Brengosëse është fakti që çdo humbje jete për ne mjekët është humbje, brengosëse që shumë herë shëndetësia ndeshet me politikën apo interesa të tjera. Si mjek jam koshient për gjendjen aktuale, por jam i qetë se çdo epidemi apo pandemi ka një fillim dhe një fund. Kjo situatë do të përfundoj sepse jeta gjithmonë triumfon dhe kjo herë nuk ka si të jetë ndryshe.
Burimi: tesheshi.com