Epidemiologu më i lartë amerikan, Dr. Anthony Fauci, një anëtar i ekipit të kontrollit të infeksionit COVID-19, tha se ishte e qartë se si kishte nisur “super-përhapja” e sëmundjes në Shtëpinë e Bardhë.
I pyetur në CBS News në lidhje me përhapjen e epidemisë në rezidencën e famshme të qeverisjes amerikane, ku dhe çifti presidencial u infektua, Dr. Fauci tha se “të dhënat flasin vetë”.
“Të dhënat flasin vetë – ne patëm një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë ku filloi super-zgjerimi, ku njerëzit qëndruan ngjeshur njëri-tjetrit dhe nuk vunë maska”, tha ai. Ai gjithashtu vuri në dukje se ekspertët rekomanduan mbajtjen e maskës gjashtë muaj më parë.
Dhe ajo ngjarje në Shtëpinë e Bardhë qe nominimi nga Trump e gjyqtares Amy Coney Barrett për në Gjykatën e Lartë, e cila ishte aty së bashku me familjen e saj. Me shumë gjasë, pikërisht aty ka qenë dhe vatra kryesore e një transmetimi lokal të infeksionit pasi shumë pjesëmarrës në test ishin pozitivë më pas.
Pamje te xhiruara në ceremoninë e mbajtur në kopshtin e trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë në 26 shtator i treguan të ftuarit teksa shpërfillnin rregullat anti-Covid, duke mos mbajtur maska e duke u përqafuar apo shtrënguar dorën me njëri-tjetrin.