Memaliaj ngelet një nga qytetet më të veçanta, për nga banorët që kanë banuar aty që nga koha e themelimit të qytetit e deri më sot, pasi nuk është rastësi!
Memaliaj ka qënë dhe ngelet vendi, ku kanë banuar dhe ende banojnë njerëz me zemër të madhe të cilët nuk kanë rreshtur së punuari përgjatë gjithë jetës së tyre, për t’i shërbyer me devotshmëri e duke dhënë pa u kursyer ndihmesën e tyre, në sajë të dijeve dhe profesioneve të tyre. Një prej këtyre njerëzve të nderuar, është edhe Dr. Sefer Shehu, i cili ende vazhdon t’i shërbejë bashkqytetarëve të tij për 50 vjet rresht!
Ai u lind në Salari më 17.06.1946 me prindër Zan dhe Xhafer. Babai i tij, Xhaferi ka punuar në ndërmarrjen blegtorale të Korçës. Shkollën fillore, Seferi e kreu në Maliq të Korçës dhe e mbaroi në fshatin e lindjes Salari. Klasën e parë dhe të dytë, e kreu në Korçë, ndërsa të tretën dhe të katërtën, e kreu në Salari. 7-vjeçaren, e kreu në fshatin Dukaj, duke ecur çdo ditë me këmbë për katër orë, vatje-ardhje. Arsimin e mesëm, e kreu në shkollën “Abaz Shehu” në Tepelenë (1960-1965). Ndërsa të lartën, në Fakultetin e Mjekësis, në vitet 1965-70. Në vitin 1971, fillon punë si mjek në Qendrën Shëndetësore të Minierës së Qymyrgurit të Memaliajt, ku punoi me përkushtim deri në vitin 1996-të, vit ky që përkon edhe me mbylljen e minierës. Përgjatë gjithë kësaj kohe që ka shërbyer si mjek në këtë qendër shëndetësore, ka qenë gjithashtu edhe drejtues i kësaj administrate që mbulonte të gjithë minierën me ambulancat nëpër sektorët e saj. Duhet theksuar se nën kujdesin dhe kontributin e Dr. Sefer Shehut, u ngritë e para Qendër Shëndetësore në Memaliaj për minatorët, e cila ishte e para edhe në shkallë vendi. Ky sukses që u arrit në sajë të eksperiencës dhe pervojës profesionale të Dr. Seferit, u pëlqye dhe u mbështet nga qeveria e asaj kohe, duke e marrë si një model për ta ndërtuar edhe nëpër qytete të tjera të vendit ku banonin minatorët, gjeologët, metalurgët, naftëtarët, …etj.
Në vitin 1974, kryen një kurs të plotë për specializmin e sëmundjeve te lëkurës, në sipitalin Nr. 1 të Dermatologjisë në Tiranë. Ndërsa për sëmundjet profesionale, kryen specializimin në vitin 1980-të. Me mbylljen e kësaj qendre shëndetësore në vitin 1996-të, Dr. Seferi ushtroi profesionin e tij si mjek familjar deri në vitin 2000, duke u shërbyer bashkëqytetarëve të tij në çdo kohë. Përgjatë viteve 2000-2010, punoi si ekspert i ekspertizës mjekësore në sigurimet shoqërore në Tepelenë. Ndërsa si anëtar i KMCAP (Kempit), ka filluar të punoj qysh prej viti 1973, datë që përkon me hapjen e Kempit në Tepelenë deri më 2010-ën. Kjo periudhë kohore, tregon se ka punuar plotë 35-vjet në këtë pozitë dhe e bën atë të njohur si anëtari, më i vjetër (KMCAP) i Kempit të Republikës. Nga viti 2011-të dhe në vazhdim, vazhdon të punoj në Qendrën shëndetësore të Memaliajt, si mjek familje.
Qendra shëndetësore kishte një kabinet të propagandës shëndetësore i formuar nën udhëheqjen e Dr. Ziso Cikuli, i cili më vonë shkoi drejtor i drejtorisë të prapagandës shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë. Që nga dita që është hapur kjo qendër e deri më 1990-ën, janë kryer 2500 vizita të regjistruara. Në plan të parë, qendra shëndetësore kishte propagandën për parandalimin e sëmundjeve me anë të flurografis (grafisë së mushkërive), të cilat shpesh herë drejtoheshin nga Prof. Shefqet Ndroqi, Dr. Viktor Ruli, Dr. Eqerem Shehu, për parandalimin e sëmundjeve të mushkërive, siç është ajo e turbekulozit (TBC), që shkaktohet nga pluhuri i qymyrgurit dhe kjo vërtetohet që gjatë gjithë kësaj periudhe, ka patur vetëm një rast me TBC në sektorin e Il-të, Canaj të MQM (Minierës së Qymyrgurit të Memaliajt).
Duke marrë parasysh vështirësitë e punës së minatorëve dhe sëmundjet nga të cilat ata prekeshin në këto kushte ku ata punonin, shteti i dha një rëndësi të veçantë mbrojtjes së shëndetit të tyre duke bërë një propagandë të fuqishme me punëtorët dhe minatorët e minierës për përdorimin e perimeve. Gjithë kjo lëvizje bëhej, pasi perimet nuk përdoreshin fare nga minatorët.
Kjo propagandë u shtri edhe në qytetin e minatorëve të Memaliajt, ku doli me shumë sukses falë punës së palodhur dhe të përkushtuar të mjekëve të kësaj qendre me protagonist kryesorë Dr. Sefer Shehun. Ai i këshillonte vazhdimisht minatorët, jo vetëm kur ata shkonin për të kontrolluar gjendjen e tyre shëndetësore, por kudo dhe në çdo kohë që ai binte në kontakt me punëtorët dhe minatorët. Si rezultat i këtij përkushtimi, perimet filluan të konsumoheshin çdo ditë nga minatorët. Kjo shtoi aq shumë kërkesën e përdorimit të tyre, saqë nuk përballohej dot nga NFP-a (Ndërmarrje e Furnizimit të Punëtorëve).
Por Dr. Sefer Shehu ka merita të jashtëzakonshme edhe për orientimin e minatorëve për të shfrytëzuar bukuritë e Vjosës që rrethon qytetin e Memaliajt dhe që i jep pamjen e një gadishulli, ku bashkë me vijimin e rrugës nacionale, nga lartë duket si një ishull mes maleve. Kjo lidhet me faktin se deri në vitin 1973, lumi Vjosë nuk shfrytëzohej për plazh, por si rezultat i propagandës shëndetësore me pensionistët, të rinjtë, minatorët dhe punëtorët e thjeshtë, u thye mentaliteti ku edhe femrat venin në plazh për përfitime të shumta. Gjithë kjo arritje, është në sajë të orientimit, këmbënguljes për të gjetur zbatim dhe përkushtimit të Dr. Sefer Shehut.
Dr. Seferi i njihte mirë çdo thellësi të nëntokës së minierës së qymyrgurit të Memaliajt, duke shkelur edhe në fronte të vështira, pasi ai mbulonte jo vetëm aksidentet, por edhe emergjencat në këtë minierë.
Ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore rajonale dhe kombëtare. Ka referuar në konferencën e I-rë shëndetësore të mjekësisë, që është zhvilluar në vitin 1986-të, me temën “Sëmundjeshmëria në minierat e qymyrgurit.”
Ka bërë disa studime në bashkëpunim, mbi zhurmat në fabrikat e qymyrgurit dhe të atyre fosforiteve. Ka bërë studime në bashkëpunim me Katedrën e Fizopathologjisë së Fakultetit të Mjekësisë mbi të dhënat Spirometrive në minatorët të minierës së qymyrgurit të Memaliajt dhe studime të tjera.
Minatorët e minierës së qymyrgurit të Memaliajt, fituan flamurin kombëtar në një konkurs për edukimin shëndetësor, që u zhvillua në vitin 1974-ër, në Drenovë të Korçës me pjesëmarrje nga minatorët e minierave të Republikës.
Qendra shëndetësore ishte dekoruar nga Kuvendi Popullor me urdhër pune dhe kjo është falë punës, përkushtimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme të doktor Seferit, theksojë këtu se është vlerësuar disa herë për punën që ka bërë.
Dr. Sefer Shehu, ka ardhur në Memaliaj në vitin 1971 dhe krijoi familje me Eleni Hila, e cila jepte mësim në lëndën e Fizikës. Prof. Eleni Hila është e bija e Fereniqi Priftit nga Lekli i Tepelenës që kanë banuar në Tërbuq (ish fshat i Tepelenës) të Gjirokastrës dhe e Këno Hilës nga Labova e Zhapës së Gjirokastrës, ku familja e tyre ndihmonte lëvizjen dhe shtëpinë e tyre e kishin kthyer në bazë lufte duke u bërë pjesë e LANÇ-re. Familja Hila, është një ndër familjet e para që kanë ardhur në Memaliajt dhe kanë dhënë kontributin e tyre, që nga themelimi i saj dhe vazhdojnë deri më ditët e sotme.
Familjen Shehu, e bëri më të madhe ardhja në jetë edhe e fëmijëve të tyre të cilët quhen, Majlinda, Armando dhe Salarina. Të tre, të lindur, rritur dhe arsimuar në qytetin e Memaliajt dhe vazhduan studimet e larta në kryeqytet, duke ndjekur e trashëguar traditën e fisit Shehu, të cilët janë të shkolluar ndër breza. Majlinda, është diplomuar për juriste dhe ka punuar edhe si pedagoge. Ndërsa djali i Dr. Seferit, i cili quhet Armamd Shehu, i frymëzuar nga pasioni për profesionin, dashurinë dhe përkushtimin e babait të tij të dhënë për të ndihmuar në përmirësim dhe shërimin e plotë të pacientëve dhe mbrojtjen e shëndetit të tyre, vazhdoi studimet për doktor shkencash mjekësore dhe aktualisht punon doktor pediatër. Ndërsa Salarina, është diplomuar dhe punon psikologe. Emrin e saj, ia ka pagëzuar xhaxhai i saj, poeti, shkrimtari, historiani dhe studiuesi, Prof. Novruz Shehu.
Prof. Novruz Shehu, është mëse i mirënjohur, në elitën akademike si studiues, autor dhe botues i “Enciklopedisë Tepelena”, nga të parat në shkallë vendi në këtë zhanër, gjithashtu edhe botues i dhjetra botimeve historike dhe letrare. Ndërsa vëllai tjetër i Dr. Seferit, quhet Abaz Xhafer Shehu dhe po me këtë emër është pagëzuar rruga nacionale Salari-Vlorë, e cila është bërë me kontribut vullnetar, ku vetë Abaz Xh. Shehu ka qënë iniciatori dhe kontribuesi kryesor deri në ndërtimin e plotë të saj. Ky pagëzim u propozua në vitin 1998-të nga Këshilli i fshatit të Salarisë dhe me vendim të Këshillit të rrethit Tepelenë.
Dr. Sefer Shehu ka një kontribut të madh edhe në shoqatat atdhetare dhe kulturore që janë aktive në rrethin e Tepelenës dhe më gjerë. Ai bënë pjesë në shoqatën e salariotëve, ku aderojnë 1000 familje salariote, të cilët banojnë nëpër botë. Në vitin 1998-të, zgjidhet Kryetar i Shoqatës, dega Memaliaj, e rrethit të Tepelenës. Në vitin 2000, besohet nga anëtarët e shoqatës, për të kryer detyrën si Kryetar i Kuvendit të Salarisë. Pëgjatë viteve 1998-2006, ka shërbyer si antar i kryesisë së madhe të shoqatës Labëria. Është shkruar qysh herët për punën dhe përkushtimin e tij edhe tek gazetat e kohës si: “Puna”, “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” dhe pas viteve ’90, edhe në gazetat qendrore.
Dr. Sefer Shehu është nga një fshat i mbushur me lavdi dhe me histori të madhe, duke i dhënë luftës që nga krijimi i shtetit shqiptar. Ai rrjedh nga një fis fisnikësh që kanë dhënë kontributin e tyre nëpër luftra për mbrojtjen e çështjeve kombëtare dhe çlirimin e vendit. I pari i fisit Shehu, është Hoxhë Totua, i cili ka qenë anëtarë i komitetit të Ali Pashë Tepelenës. Ndërsa Shemo Muhamet Shehu (gjyshi i Dr. Seferit), ka qenë njeri i besuar i Ali Pashës, babain e Dr. Seferit e quanin Xhafer Shehu dhe ka qenë luftëtar komit e luftëtar i Selam Musait. Më pas, del partizan në komandën e vendit, e më vonë, i shtohet radhëve të Brigadën së 12-të Sulmuese. Shtëpia e tyre, ishte kthyer në bazë lufte, pasi edhe nga ekonomia ishin në gjendje të mirë dhe i përkisnin shtresës së mesme. I vëllai i Xhafer Shehut, quhej Yzeir Shehu, por edhe i nipi i tyre që quhej Bajazit Haki Shehu, kanë qenë partizanë me çetat territoriale.
Ndërsa xhaxhai i Dr. Seferit, quhet Dervish Haki Shehu, i cili u lind në fshatin Salari. Familja e Dervish Haki Shehut, rrjedh nga një familje e mesme fshatare, fetare dhe patriotike, të cilët kanë luftuar me armë në dorë për të mbrojtur atdheun kundra çdo pushtuesi. Fisi Shehu është ndëshkuar rëndë përgjatë diktaurës edhe pse kanë dhënë kontributin e tyre si nacionalistë të vendosur për çlirimin e vendit. Dervish Haki Shehu udhëhoqi çetën Nacionaliste të Ballit Kombëtar deri në mesin e vitit 1943-e dhe u tërhoq nga lufta kur ajo mori përmasat e vëllavrasjes. Ndërroi jetë në vitin 1978-të dhe u përcoll për në banesën e fundit, vetëm nga të familjes së tij. Me ndërrimin e sistemeve, vlerësohet pas vdekjes me titullin “Nderi i Komunës”, me motivacionin “Faktor i rëndësishëm i unitetit të fshatit para dhe gjatë luftës. Antikomunist, që e vuajti Ai dhe brezat. Kalorës i mendimit të lirë në vendin më të izoluar, e frymzim për brezat.” Ky vlerësim, me vendim Nr. 30, të datës 25 mars të vitit 2008-të, është marr nga Këshilli i Komunës Qendër Tepelenë. Çeta e Dervish Haki Shehut, ka luftuar përkrah çetës partizane të Ismail Kasos, luftë kjo për çlirimin e Tepelenës, që u zhvillua më shtator të vitit 1944-ër. Në shtëpin e Haki Shehut, ka qëndruar disa ditë edhe Mehmet Shehu, para se të merrte pjesë si përfaqësues kryesor i ushtrisë partizane në mbledhjen e “Rrepeve të Dervenit”, ku merrnin pjesë përfaqësues edhe nga forca të tjera. Nacionalisti Haki Shehu, ka qenë atdhetar dhe ka marr pjesë, jo vetëm në luftën për çlirimin e Tepelenës, por ka një meritë të madhe edhe në parandalimin e vëllavrasjes në Kurvelesh. Fisi Shehu, është mik me familjen e Heroit të Popullit Abaz Shehu nga fshati Bënç.
Dr. Sefer Shehu është i nipi i heroit Selam Musait (nga nëna) dhe familja e Dr. Seferit ka qëndruar në shtëpinë këtij heroi, pasi Selami nuk kishte djem. Si të tillë, kanë qëndruar këta:
E kunata e Selamit ka ndërruar jetë në vitin 1956-të dhe quhej Saf Musaraj, e cila, pas çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj, është dekoruar nga Kuvendi Popullor, pasi ka ndihmuar në LANÇ-re.
Selam Musai ka pasur dy gra. Gruaja e parë quhej Dulba Skëndaj nga Salaria, Gruaja e dytë quhej Seliha Danaj nga Guzmari. Me të dyja gratë, kishte vajza dhe dy djem. Dy djemtë e tij nuk rrojtën shumë dhe janë ndarë nga jeta, në moshën 17 dhe 19-vjeçare. Pas vdekjes së tyre ngeli vetëm me vajza. Me vdekjen e dy djemëve të tij, që ndodhën para vitit 1920-të, paria e krahinës si, Sali Butka, Nazij Delvina, Halim Xhelo Tërbaçi, Çerçiz Topulli, ..etj, e detyruan Selamin për të bërë martesë tjetër, për të lindur fëmijë, aq më shumë, djem. Gruaja e tretë ishte nga Drizati i Mallakastrës dhe vëllezërit Shehu, si nipër kishin lidhje. Pasi Selami u vra në luftën e 1920-ës dhe ngaqë nuk kishin fëmijë nga kjo martesë, familja Shehu vendosi të banonte tek shtëpia e tij. Familja Shehu, ka jetuar tek shtëpitë e Selam Musait, nga viti 1924-ër deri në vitin 1970-të. Aty kanë qëndruar familjet e të dy vëllezërve Shehu, ajo e Xhaferit dhe e Yzeirit. Pas vitit 1970-të, shteti vendosi që t’u ndërtonte shtëpi tjetër dhe shtëpinë e Selamit, ta kthente në muze për luftën e 1914-ës dhe atë të 1920-ës. Xhafer Shehu, mori pension lufte deri në ditën që ndërroi jetë. Në vitin 1970-të, Seferi dhe gjithë familja, dolën nga shtëpia, pasi shteti e bëri shtëpi muze të klasit të parë. Fatkeqësisht, për 30-vjet rresht shkoi drejt shkatërrimit edhe pse Dr. Seferi dhe shumë të tjerë, u kishin drejtuar me dhjetra herë kërkesë shtetit dhe asgjë nuk u bë deri para pak muajsh, ku filluan punimet dhe janë drejtë përfundimit.
Heroi Selam Musai, luftoi në luftën e Labovës. Kishte kryer ushtrinë për 6-vjet rresht në Turqi. Edhe pse vendi u pushtua nga Italia fashiste, ku Selam Musai kishte luftuar duke dhënë edhe jetën, jo vetëm qeveria e Italisë fashiste, por edhe e Zogut, nuk ia ndaluan pensionin e tij, që të merrej nga gruaja e tij. Halim Xhelo Tërbaçi e krahasonte luftën, në betejën e Qafës së Koçiut në Vlorë, ku ra dëshmor edhe Selami, si Beteja e Termopileve.
Në verën e vitit 2018-të, shkova me familjen time për të kaluar pushimet në Memaliaj dhe gjeta pak kohë për shkuar dhe takuar Dr. Seferin dhe Prof. Lenin. U ulëm tek veranda e shtëpisë së tyre private dhe pasi më qerasën sipas traditës, filluam të pyesnim me mall njëri-tjetrin.
Në verandë ishte freskët, pasi frynte pak flladi i mëngjesit. Tek oborri i shtëpisë së tyre, valëvitej flamuri shqiptar që mbahej lartë me anë të një tuboje metali prej 7-8 metrash të lartë dhe kjo më gëzonte shumë, pasi tregonte atdhedashuri; njësojë si amerikanët që rrallë se gjen shtëpi që nuk valëvitet flamuri asmerikan.
Më mrekulloi shumë valëvitja e shqiponjës me dy krena, po kaq më mrekulloi edhe kur më tregoi se në krah të tubos që mbante flamurin, kishte zënë vend një gurë, ku mbi këtë gurë ishte një e thelluar që dukej si gjurmë kali ku në të cilën ka pas pirë ujë kali i Selam Musait. Dr. Seferi e kishte marrë nga oborri i shtëpisë së Selamit ,të cilët kanë banuar dhe e kishte sjellë në Memaliaj. Duke parë se shtëpia e heroit Selam Musai ishte lënë në harresë të plotë nga shteti shqiptar dhe ishte drejt shkatërrimit deri në rrënoja, ai u detyrua ta merrte këtë dëshmi me vlera historike, pasi një Zot e di se ku mund të përfundonte nga njerëz të papërgjegjshëm, a vizitorë të qëllimshëm të këtyre gjetjeve me vlerë! U kërkova që të bënim të tre edhe një fotografi në oborrin e shtëpisë së tyre, falë një bashkëqytetari që po kalonte ,të cilit i kërkova të na fiksonte këtë kujtim me anë të aparatit tim fotografik.
Për jetën dhe kontributin e Dr. Sefer Shehut, duhen ditë të tëra për të folur, nëse takojmë dhe pyesim veteranët e minierës që ende jetojnë, të cilët kanë marrë shërbimin mjekësor përgjatë jetës së tyre në minierë dhe sot që janë pensionista. Në vazhdim po sjellim disa nga komentet e shumta të memaliotëve, të cilët kanë shprehur vlerësimet e tyre, me anë të faqes tonë në Facebook.
Luan Meta: “Një mjek kompetent, profesionist dhe kontribues në mbarëvatjen e shëndetit të qytetarëve memaliotë dhe më gjerë.”
Syrja Hyseni: “Dr. Sefer Shehu, një njeri dhe intelektual i shkëlqyer, që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizem të lartë. qytetit të Memaliajt dhe zonës përreth!”
Konstandina Zhupa: “Dr. Sefer Shehu, është një njeri dhe mjek i përsosur, që ia kushtoi gjithë jetën e tij mjeksisë, duke u shërbyer të gjithëve me betimin e Hipokratit. Çfarëdo që të thuash për Dr. Seferin, është shumë pak! Shumë mirënjohje për veprën e tij, në shërbim të popullit!”
Tahir Kalemi: “Një mjek i talentuar, që e lidhi tërë jetën e tij në shërbim të minatorëve dhe qytetareve të Memaliajt. Përherë kompetent; përherë i palodhur dhe i gatshëm të shkonte në çdo familje ku e thërriste profesioni i tij human.” Altin Zhupa: “Njeri i mrekullueshëm dhe mjek i shkëlqyer që i ka shërbyer gjithë familjeve memaliote!”
Dhora Meço: “Respekt për doktor Seferin, njeriun e mrekullueshem, prindin dhe familjarin shembullor, mjekun e përkushtuar dhe human.
Aleksandër Ormeni: “Mirënjohje dhe respekt për Dr. Sefer Shehun, babain e mjekësisë së qytetit tonë të dashur. Është padyshim ikonë e vlerave më të mira që lindi Salaria dhe që e gëzoi Memaliaj ndër vite, me edukimin fisnik, intelektual e patriotik, të marr në një familje fisnike, siç ishte ajo e Shehajve. Ai diti të jepte shpirtin alturist e human, nëpërmjet shërbimit të tij në fushën e mjeksisë, përkushtim ky që e ngrinte në nivele të larta figurën e mjekut. Dr.Seferit edhe me kontributet shoqërizuese në komunitet, shkëlqen si diamant në zinxhirin e vlerave të qytetit tonë të lindjes.”
Alem Qibini: “Respekt të veçantë për Dr. Seferin, doktorin më të dashur që ka shërbyer dhe vazhdonn të shërbej pa dallim, për çdo familje të qytetit Memaliaj. Dr. Seferi, njihet nga të gjithë si njeri ideal, jo vetëm mjek, por edhe minator e qytetar i ndershëm i këtij qyteti që u themelua dhe u ndërtua nga familjet e minatorve.”
Jano Kora: “Dr. Sefer Shehu, i ka kaluar caqet e një njeriut të persosur! Ai gëzon respektin dhe dashurinë e të gjithë qytetarëve tanë, pasi na ka shërbyer me përkushtim sikur të ishim të gjithë një familje e vetme!”
Dhurata Jonuzi: “Shumë respekt për Dr.Seferin, jo vetëm si mjek, por edhe si njeri me shpirt të gjerë, që ka dhënë ndihmën mjekësore, jo vetëm në qytetin tonë, por dhe në zonat përreth.”
Dr. Enver Llana: “Me shumë respekt shokut dhe mikut tim. Dr. Seferit! I uroj të ketë shëndet familjarisht dhe të vazhdojë t’i shërbej popullit, pasi edhe pse mosha dhe koha bënë të vetën, ai vazhdon të punojë me përkushtim, me po ato energji që filloi profesionin e tij. Dr. Sefer Shehu, ka qenë, është dhe do të ngelet një nga figurat e shkuara të mjekësisë për gjithë rrethin e Tepelenës dhe më gjerë.”
Personalisht, desha të ndaja edhe unë, dy nga disa mjekimet dhe përkujdesjet që ka treguar Dr. Seferi, në lidhje me shëndetin tim dhe të nënës time. Nëna ime, Zengjinia, ashtu si mijëra punonjës të nëntokës dhe ata që kanë punuar në sipërfaqe të mineirës, është vizituar në klinikën e minierës, ku mjek ishte edhe Dr. Seferi. Një mjek shumë i përkushtuar, saqë edhe kur takohej me pacientët e tij në rrugë, përgjatë bisedave, nuk u shpëtonin edhe vëzhgimeve të tij, si mjek dhe nëse shikonte që diçka nuk shkonte me shëdetin e tyre, menjëherë i këshillonte për mjekimin e radhës. Një rast të tillë e ndesha edhe me nënën time, kur u takuam me Dr. Seferin, në një nga rrugët e Memliajt. Ishte shkurt i vitit 2016-të dhe kisha ardhur me pushime për disa ditë në Memaliaj, por nëna nuk ishte dhe aq mirë me shëndet edhe pse ishte vizituar tek një mjek tjetër dhe kishte marr disa ilaçe. Pasi u takuam dhe me mua vazhdoi pak më shumë bisedën, pasi vija nga përtej oqeanit dhe kishim mbi dy dekada pa u parë, menjëherë i ranë në sy disa simptoma që kishte nëna ime, e cila kishte buzën e poshtëme, pak të enjtur dhe të nxirrë dhe dukej që ishte jo fortë mirë me shëndetin. Menjëherë e pyeti: sa kohë kishte në këtë gjendje? Ai e rekomandoi që të bënte urgjent, një kntroll për zemrën, pasi ato shënja i tregonin se mushkritë i kishin filluar t’i mblidhnin ujë dhe nga çasti në çast, mund të jepnin edhe goditje në zemrër. Madje ishte edhe ndërhyrja dhe këmbëngulja e tij, si mjek me kolegët e tij në kryeqytet, që të bëhej i mundur edhe shtrimi i saj në një nga spitalet e Tiranës, edhe pse ishte shumë vështirë ,që të gjeje shtretër në ato ditë, ku kishte pllakosur vendin një grip shumë i rëndë. Nëse nuk do takoheshim në rrugë, nuk do bëhej i mundur shpëtimi i jetës së nënës time, që nga rekomandimi e deri sa u shërua plotësisht.
Ndërsa unë personalisht, nuk jam vizituar asnjëherë tek Dr. Seferi, pasi ai mbulonte minierën, por në kohën e virusit të sotëm, që ende po përjetohet në botë, si shumë të tjerë në Nju Jork, por edhe në botë, kalova për të dytën herë një lloj gripi me simptoma pak ndryshe nga griprat e tjerë, ku shumë të tjerëve që vizitoheshin tek mjekët, u thonin se është një lloj gripi, por ende pa emër. Përgjatë komunikimit nëpërmjet mesazheve, por edhe me anë të telefonit, i shpreha të gjitha simptomat dhe vetëm me anë të këshillave të tij, ia dola mbanë. Por janë të shumtë memaliotët në Amerikë e kudo në botë, që mbajnë kontakte me Dr. Seferin dhe e pyesin për të marr këshillat e tij. Kushtet e vështira që ndikonin drejtpërsëdrejti në shëndetin dhe jetëgjatësinë e tyre, Dr. Seferi është mundur gjithmonë, që minatorët dhe gjithë pacientët e tij, të gëzonin jetë sa më të gjatë. Janë të shumtë,ndaj po sjellë një rast, të cilin e shpreh në një nga statueset e saj në Facebook, edhe poetja memaliote, Enkelejda Fejzo, e cila shkruan: “Një mëngjes me Dr. Sefer Shehun. Takimi me Dr. Seferin, ishte një kënaqësi emocionale. Folëm për jetën e tij dhe rrugën e gjatë që ka bërë, dhe teksa me tregon, e mbërthejnë emocionet nga shume kujtime. “Pse po ta tregoj?” – vazhdon të shprehet ai, “…sepse këtë rrugë të gjatë, duket sikur e zbulova me vonesë, pasi u enda gjatë dhe kam takuar shumë breza dhe më duket sikur kam jetuar në një mjedis të përbashkët familjar…hesht.” Papritur, nxjerr nga xhepi një stilograf me një shënim të shkruajtur nga gjyshi im, Izet Fejzo. U habita! Më thotë: “E kam kujtim që prej vitit 2014, dhe i mbajë gjithnjë me vete..”, dhe vazhdon duke ngritur paksa zërin, “Ishte figurë Xha Izeti, jo vetëm për qytetin, por për gjithë krahinën.” Sa bukur! Çfarë vlerësimi …teksa e lexoj shkrimin e gjyshit…?! Dr. Seferi, ishte doktori i vetëm i gjyshit tim që e mbajti gjallë plotë 97 vjeç. Ndërsa unë them se Dr. Sefer Shehu, është njeriu i papërtuar, gjithnjë me vlera njerëzore dhe hynore, dhe i ka arritur virtytet me thjeshtësi dhe pa cerëmonira. Njerëz me shpirt të tillë sot, jo vetëm për qytetin tim Memaliaj, por edhe për vendin ka shumë pak. Të uroj shëndet dhe faleminderit për modelin që na jep.”
Kontributi i Dr. Sefer Shehut, është pjesë e historisë së qytetit tonë në fushën e Mjekësisë, ku mendimet, përvoja dhe metodat në punën e tij, janë marrë si pika orientuese në disa konferenca shkencore që bëheshin në rang kombëtar. Gjithashtu Dr. SeferI është nga pionierët e parë që bëri të mundur hapjen e qendrës së parë shëndetësore në shërbim të minatorëve në shkallë vendi. Për kontributin e tij, që nuk njihej dita nga nata, pasi ai u gjendej minatorëve dhe familjeve të tyre në çdo kohë duke i vizituar ata edhe nëpër shtepitë e tyre në raste urgjencash. Vënia e profesionit të tij në dispozicion të bashkëqytetarëve të tij dhe fshtarave përreth, pas ndërrimit të sistemeve, bëri të mundur, që ai të hapte edhe klinikën e tij, për t’u shërbyer atyre sa më mirë dhe në çdo kohë. Gjithë puna, dhe kontributi i këtij intelektuali që përgjatë gjithë jetës së tij, ja kushtoi bashkëqytetarëve të tij dhe mgjerë, e bënë këtë një nga figurat më të dashura dhe më të përkushtuara ku padyshim, të gjithë ne i jemi mirënjohës.
Ky respekt dhe mirënjohje, padyshim që e ka shpallur atë “Nderi i Qytetit” tonë dhe besoj se këtë vlerësim të merituar nga bashkëqytetarët e tij, duhet ta kishte marr parasysh kohë më parë edhe këshillat bashkiake që kanë kaluar, pasi njerëz të tillë si Dr. Sefer Shehu, nuk duhen lënë në harresë, pasi janë shumë të çmuar për një komunitet apo bashkësi, ku vlerat e tyre, kanë qenë, janë dhe do të jenë për ne, frymëzim për ndër breza!
Edmond Ismailati
Nju Jork, 18 Tetor, 2020.