Samiti i klimës hyri në një fazë të re të negociatave të mërkurën, kur u publikua drafti i parë i vendimit përfundimtar të COP26. Në tekst shprehet alarm dhe shqetësim për faktin se aktivitetet njerëzore kanë shkaktuar rritjen me 1.1 gradë të temperaturës mesatare dhe se impakti po ndihet në çdo rajon. Mes objektivave kryesore që parashtrohen në tekstin që do të shqyrtohet tani nga krerët e qeverive, është reduktimi i emetimeve të karbonit me 45 për qind deri në 2030 dhe në zero rreth mesit të shekullit.
Draft-dokumenti rikonfirmon gjithashtu angazhimin global për të ruajtur rritjen e temperaturës mesatare globale nën 2 gradë celsius dhe për të vijuar përpjekjet për ta kufizuar ngrohjen në 1.5 gradë celsius, krahasuar me nivelet paraindustriale.
Dokumenti pranon se impakti i ndryshimeve klimatike do të jetë shumë më i ulët, nëse rritja e temperaturës do të qëndrojë në 1.5 gradë, por se kjo kërkon veprime të rëndësishme dhe efikase nga të gjitha palët.
Ndotësve të mëdhenj, si Kina dhe India, Rusia e Arabia Saudite nuk do të pëlqejnë përmendjen e objektivit, zero emetime. Australia do të ngrysë vetullat me frazën eliminim i përshpejtuar i karbonit, ndërsa vendet në zhvillim do të kërkojnë më shumë detaje mbi ndihmat financiare për t’iu përshtatur tranzicionit.