Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar të gabuar veprimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili u ka dorëzuar një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Në një deklaratë për mediat pas ceremonisë së 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Konjufca tha se, Rama nuk do të duhej që të bënte veprime të tilla pa u ulur dhe sqaruar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk kanë kërkuar nga Rama që ta hartojë një draft-statut të Asociacionit.
“Jo nuk kemi interes, sepse mendoj që kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash, por asnjëri nuk ka pas efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh mendoj por ky ishte një veprim i anshëm”, tha Konjufca.
Sa i përket paralajmërimeve të SHBA-së dhe BE-së për paralajmërim të sanksioneve nëse Kosova nuk i plotëson kërkesat për tejkalim të situatës në veri të vendit, ai ka thënë se institucionet e vendit janë duke punuar ngushtë me aleatët që kjo situatë të tejkalohet.
“Mendoj që institucionet tona dhe ministritë tona janë duke punuar ngushtë me aleatët edhe partnerët që kjo situatë të tejkalohet”, tha Konjufca
Për çështjen e draft-statutit të Ramës është pyetur edhe Kryeministri Kurti e Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, por të dy kanë refuzuar të përgjigjen.