Nga Alessia Selimi*
Tallaze shumë ka jeta, prej zanafillës e deri më sot. Po aureola e saj nuk është cenuar edhe pse është përplasur me shembje perandorish, zhdukje qytetërimesh dhe trupa të kthyer në hi. Kjo pandehmë ndriçon edhe në qytetin e vogël të Librazhdit, ku 8 ditë më parë një burrë 53-vjeçar masakroi më thikë bashkëshorten në sy të djalit dhe më pas kreu vetëvrasje. Në sheshin e vetëm të zbukuruar disi me pllaka, buzë të etura dhe të qeshura, pikasen që në orët e para të mëngjesit.
Teksa i sheh të strukur nën hije çadrash, se i nxehti i shtatorit vazhdon kryeneç, banorët të krijojnë idenë se shpirti i tyre nuk rravgon rreze dielli, shpresë apo qoftë edhe përgjigje. Një pallat i lartë, lyer me ngjyra të ftohta dhe i vetëm në llojin e tij, tërheq menjëherë vëmendje. Çifti Gjokola jetonte pikërisht në të, në kat të katërt. Ndërsa për t’iu drejtuar biznesit të tyre (pikë transferte parash), iu nevojitej vetëm pesë minuta në këmbë. Kaq dukej se u mjaftonte edhe për të përshëndetur banorët e zonës. Mapo kërkon t’i thellohet motiveve të paqarta. Kësisoj, këtyre të fundit u drejtohemi.
Një grua e regjur, syjeshile, me flokë të errëta dhe të çrregullta, me shumë gjasë diku tek të 50-at, shprehet se “Dauti dhe Luljeta, përveçse gëzonin një raport mjaft të shëndoshë, ishin njerëz të mrekullueshëm. Ishin çift dhe prindër të jashtëzakonshëm. Kur u vendosa në dijeni, unë personalisht u shokova. Dauti nuk ngurronte asnjëherë që të më drejtohej dhe të më pyeste për shëndetin – thotë ajo, e cila është prej vitesh në qytet një shitëse ambulante. Kur e pyesim për emrin, çohet me revoltë nga karrigia e vjetër dhe e kuqe. Jetoj në një qytet të vogël dhe të varfër, ku njerëzit janë shpërfytyruar dhe e keqja ka zënë rrënjë. Këtu, goja nuk frenohet. Edhe për Dautin dhe Luljetën, çfarë nuk thuhet lart e poshtë…”– shprehet ajo, duke na lënë të kuptohet se i frikësohet opinionit të bashkëqytetarëve.
Futemi brenda një byrektoreje. Në të djathtë, pesë burra të bëshëm dhe të gjatë duket se kanë ngrënë mëngjes bashkë, për t’i lënë radhë një diskutimi zëlartë. Ndërsa në të majtë, shohim “të zonjën e shtëpisë”. Të lotojnë, sytë e saj ngjyrë blu nuk vonojnë shumë. “Luljetën e kisha shoqe shumë të mirë. Nuk di përse ndodhi kjo tragjedi, s’i jap dot shpjegim. Ajo shkonte për mrekulli me të shoqin”, – thotë 65-vjeçarja, e cila, njësoj sikurse shitësja ambulante, refuzoi të na thoshte emër e mbiemër.
Me aromën nën hundë të gjalpit të shkrirë, flasim edhe me një shitës frutash. 70-vjeçari përjashton si motiv krimi gjendjen e tyre ekonomike. Në një qytet si Librazhdi, krimet brenda familjes ndodhin kryesisht për shkak të situatës së rënduar financiare. Ky nuk ishte rasti i Gjokolave. Ata gëzonin një ekonomi të qëndrueshme…
Pak metra më tutje, teksa marrim rrugën drejt Komisariatit të Policisë, na ngjall kureshtje një misrapjekës i zellshëm, i cili është i shoqëruar nga një pensionist. E pyesim për Gjokolat, por preferon të heshtë. Dhe, kur i drejtohemi të thinjurit me sy të kristaltë, dëgjohet prej tij një urdhër i prerë: Mos guxo të flasësh!
Ai rrotullon ndërkohë tespitë e zeza, teksa na flet me mimikë. Nuk vonon shumë, kur vendos t’i dëgjojmë zërin. “Unë kam punuar katër vjet në polici private. Dautin e kam patur në krye. S’mund të them për të veçse ishte një njeri i drejtë dhe i sinqertë.…”, shprehet ai, duke e lënë qëllimisht fjalën përgjysmë. Ka një solidaritet burrash këtu, që kanë tendencën të fajësojnë gruan për provokimin e tragjedisë. Veçse nuk është aspak i qartë se për çfarë ia drejtojnë konkretisht gishtin. Nuk kanë si tregojnë më shumë. Është si kod. Në një farë mënyre librazhdasit mund të përflasin sojin e tyre brenda sipërfaqes 1.05 km² vetëm me njëri-tjetrin.
Rikthehemi në Tiranë, jo vetëm të paqartë rreth motiveve të këtij krimi tronditës, por edhe ndaj “paktit” të qytetarëve të Librazhdit për të heshtur. Për këtë arsye, kontaktuam me sociologun Gëzim Tushi. Ai hedh dritë për gazeta Mapo, për atë çka ai vetë e quan veçori tipike të shoqërive të ngurta. Tushi i mëshon faktit se, nëse shkaqet e krimit mund të jenë të ngjashme, qëndrimi ndaj tij, reflektimi social dhe përjetimi personal, është shpeshherë i ndryshëm.
“Reagimi privat me atë publik jo gjithnjë është i barabartë. Sensibilitetet sociale janë të lidhura me traditat, zakonet, gjykimet dhe paragjykimet morale për të zbuluar apo publikuar shkaqet e krimit. Në zonat urbane njerëzit janë më të hapur dhe flasin më drejtpërdrejt ngaqë jetojnë në hapësira urbane të gjera dhe nuk kanë shumë lidhje sociale me njëri-tjetrin.
Në qytetet e vogla dhe sidomos në zonat rurale, gjykimi i shkaqeve të krimit apo deklarimi i të vërtetave të tij, është i vështirë të investigohet nga ata që janë të lidhur me njëri-tjetrin, pasi kanë koncept më të ngushtë për transparencën; kanë ndjesinë e bashkësisë dhe solidaritetit që lidhet me emrin e fshatit, lagjes apo qytetit të vogël.
Kjo sepse lidhjet sociale dhe bashkëjetesa komunitare i detyron “të ligjërojnë” në mënyrë të kufizuar, duke folur ndryshe nga çfarë mendojnë në të vërtetë. Skrupujt moralë të shoqërisë tradicionale me kohezion të fortë, e rritin përgjegjësinë personale përballë njëri-tjetrit. Kjo bën që ata të druhen, të tërhiqen në përgjigjet e tyre”-shprehet sociologu Gëzim Tushi.
Sikurse e përmendëm edhe më lart, ndërmorëm rrugën drejt qytetit juglindor të Librazhdit për t’u njohur me motivet e krimit të dyfishtë në familjen Gjokola. Por, u rikthyem me pyetje, përgjigjet e të cilave janë të lidhura padyshim ngushtë me misterin e tragjedisë.
*Mapo