Spanja ka humbur pothuajse 900,000 vende të punës prej kur ka nisur zbatimin e masave të ashpra kundër koronavirusit, një tjetër shenjë për ndikimin që do të ketë kjo sëmundje në ekonominë e Evropës.
Të dhënat tregojnë se 898,822 persona kanë humbur vendet e tyre të punës prej kur ka nisur masa e izolimit, duke përfshirë rreth 550,000 punëtorë të përkohshëm.
Shkalla e papunësisë në Spanjë është rritur në 3.5 milionë, duke shënuar shifrën më të lartë nga prilli i vitit 2017.
“Kjo është situatë absolutisht e pashembullt”, ka thënë Ministrja e Punës, Yolanda Díaz në një konferencë për media.
Sektori i turizmit dhe ndërtimtarisë kanë përjetuar goditjen më të rëndë.
Spanja ka ndaluar daljet jo të domosdoshme dhe ka mbyllur shumicën e bizneseve deri në mesin e muajit prill.
Deri më tani është raportuar për më shumë se 10,000 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19 që shkakton koronavirusi në këtë shtet.
Në gjithë botën, numri i të infektuarve ka arritur gati shifrën 1 milion, derisa janë regjistruar më shumë se 47,000 vdekje, sipas të dhënave të Universitetit, Johns Hopkins.
Sipas këtyre të dhënave del se rreth 195,000 persona janë shëruar./R.E.L