Në qytetin e Laçit punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri kanë hyrë në fazën e fundit. Aktualisht punimet janë përqendruar në ndërtimin e rrjetit të jashtëm dhe të brendshëm, ku deri më tani janë realizuar afro 87% e punimeve, ndërsa po vijon puna për vendosjen e matësave, si dhe aplikimin e sistemit Scada.
32 mijë banorë përfitojnë nga ky investim, i cili i jep zgjidhje një problematike shumëvjeçare për këtë zonë. Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të Laçit janë ndarë në katër faza. Në tri fazat e para u bë e mundur hapja e pus-shpimeve, rehabilitimi i stacionit të pompimit, shtrimi i linjës kryesore, ndërtimi i depove ujëmbledhëse si dhe linjës shpërndarëse. Aktualisht po punohet për fazën e katërt dhe të fundit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga kreu i AKUK, Klevis Jahaj, kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara dhe deputetja Shpresa Marnoj ndoqën nga afër punimet e realizuara, ndërsa i gjithë projekti parashikohet të përfundojë në muajin prill të këtij viti.
“Është investuar në themel të të gjithë ujësjellësit, duke ndërtuar një stacion të ri pompimi, duke vazhduar me një depo grumbulluese prej 400 metër kub, me një linjë komplet të re transmetimi deri në depon kryesore të qytetit, 6 mijë metër kub, e cila do të furnizojë qoftë qytetin, por edhe një nga njësitë më të mëdha që është afër qytetit atë të Sanxhakut”, sqaroi drejtori Jahaj referuar projektit që po zbatohet.
Për ministren Balluku automatizimi i proceseve është një element tjetër shumë i rëndësishëm, krahas investimeve të reja të cilat ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve. Përmes automatizimit rriten mundësitë e monitorimit dhe ndërhyrjes në kohë reale për çdo avari që mund të shfaqet. Balluku u ndal më tej tek reforma e ndërmarrë në sektorin e ujësjellësi-kanalizimeve, një reformë e cila që në vitin e parë të saj ka dhënë rezultatet e para pozitive.
“Kemi nisur këtë reformë që në vitin 2021 me agregimin e ndërmarrjeve nga 58 për ti bërë 16. Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer me kryetarët e bashkive, me këshillat bashkiak. Kemi pasur mirëkuptim të plotë. Është kuptuar që duhet Qeveria ta udhëheq këtë proces, përkohësisht patjetër. Nuk është synimi jonë që të mbajmë këto ndërmarrje, por çështja qëndron që edhe situata financiare, edhe situata teknike e 58 ndërmarrjeve të fragmentuara dhe të copëzuara nuk mund të lihej më të vazhdonte ashtu. Qeveria duke pasur një ekspertizë tjetër, duke pasur një mbështetje dhe fuqi tjetër qoftë edhe nga donatorët tanë, të cilët duhet të gjejmë rastin që ti falenderojmë pasi kanë qenë gjithmonë aktiv, Banka Botërore, KfW, SECO zvicerane patjetër, të gjitha këto së bashku na kanë bërë që të marrim këtë vendim, i cili nga të gjithë treguesit që kemi mbledhur gjatë vitit 2023, padyshim duket një vendim i saktë dhe i suksesshëm, por gjithmonë duke mos dashur që të cenojmë autonominë vendore. Ky është një bashkëpunim midis palëve”, tha Balluku.
Ne jemi këtu për ti shërbyer qytetarëve dhe është synim i Qeverisë Shqiptare, tha Balluku, duke e vendosur theksin tek shkurtimi i afateve të ofrimit të shërbimit, transparenca, automatizimi dhe inovacioni.
“Qeveria Shqiptare ka nisur një ri inxhinerim i të gjitha proceseve administrative që kërkonin kohë dhe krijonin vonesa. Të gjitha këto nuk janë vetëm për Qeverinë Shqiptare, janë dhe për pushtetin vendor. I kemi dhënë një prioritet zonave urbane. Zonat urbane, siç jemi duke punuar edhe për qytetin e Laçit, janë ato që marrin të parët investimet për shkak të numrit të banorëve. Gjithçka shkon për frymë dhe më pas ne shpërndahemi në zonat rurale”, tha Balluku duke përmendur këtu edhe krijimin e Agjencisë së Inovacionit, si një tjetër instrument i rëndësishëm.
Nga ana e saj, kryebashkiakja Cara u shpreh se ky është një investim i shumëpritur nga banorët pasi merr zgjidhje një problematikë shumëvjeçare e tyre sa i takon furnizimit me ujë të pijshëm. Mungesa e investimeve të plota dhe mirëmbajtjes kishin sjellë një amortizim jo të vogël të ujësjellësit të Laçit e cila ndikonte në furnizimin e banorëve. Tashmë, me ujësjellësin e ri, këto problematika marrin zgjidhje duke garantuar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.