Aktualitet Drejtësia nuk “harron” as në kohë koronavirusi

Drejtësia nuk “harron” as në kohë koronavirusi

Edmond Makri (Aliko), rezultonte i dënuar me 12 vite e 8 muaj burg në Itali për disa vepra penale, por kishte arritur t’i shpëtonte drejtësisë dhe jetonte në Vlorë, vendlindjen e tij.

Megjithatë, tashmë 54-vjeçari do të duhet të shlyejë dënimin e vendosur nga Gjykata e Apelit të Aquilas, që kishte lëshuar një urdhërarrest për të që prej vitit 2013.

Makri u arrestua falë një operacioni të Policisë së Vlorës dhe do të ekstradohet drejt vendit fqinj.

“Bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kumia”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi Edmond Makri (Aliko), 54 vjeç, banues në Vlorë”.

“Gjykata e Apelit Aquila, Itali, në vitin 2013 ka lëshuar urdhër-arrestin për këtë shtetas, pasi e ka dënuar me 12 vite e 8 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni dhe migracion klandestin”, parashikuar nga Kodi Penal italian dhe nga Dekreti i Presidentit për Drogat”, sqaron Policia e Vlorës në një njoftim për mediat.