Ideja apokaliptike e një lufte bërthamore, të paktën që nga kriza e Kubës, më shumë se një mundësi faktike ka qenë një teori gjeopolitike.
Por javët e fundit, veçanërisht nga momenti ku Kremlini ka pësuar një stepje nga rezistenca ukrainase që ka detyruar Rusinë të angazhohet në një luftë që parashikohet e gjatë dhe me humbje të shumta njerëzore, përdorimi i këtyre armëve shkatërruese po qarkullon gjithmonë e më shumë midis personave afër Putinit.
Pikërisht Kuba ishte një krahasim historik që paraqiti vetë ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, në një intervistë në televizionin publik rus. “Gjatë krizës së raketave në Kubë, nuk kishte shumë rregulla të shkruara. Por rregullat e të vepruarit ishin të qarta. Moska e kuptoi si po vepronte Uashingtoni, dhe Uashingtoni e kuptoi si po vepronte Moska. Sot kanë mbetur shumë pak rregulla”.
Këto rregulla duket sikur janë zhdukur edhe në frenimin që personazhe publike me njëfarë influence në Kremlin po deklarojnë gjithmonë e më hapur. E fundit është Margarita Simonyan, drejtoresha e Russia Today, një nga instrumentet mediatike më të fuqishme të propagandës së Moskës.
Gjatë një emisioni në televizion, në praninë e disa ekspertëve, ajo deklaroi se “ose humbasim në Ukrainë, ose fillon Lufta e Tretë Botërore. Mendoj se lufta e tretë është më e mundshme, duke njohur liderin tonë. Mundësia që kjo të përfundoi me një sulm bërthamor më duket më e mundshme se humbja”.
Simonyan shtoi se përdorimi i armëve bërthamore “është i tmerrshëm, por nga ana tjetër nuk kemi ç’të bëjmë. Ne do të shkojmë në parajsë, por ato thjesht do të zhduken… të gjithë do të vdesim një ditë”.
Ditë më parë, një tjetër gazetar i njohur pro-Putin, Vladimir Solovyov, kishte hedhur mundësinë e një sulmi drejt Britanisë së Madhe, ndërkohë që kërcënime erdhën nga vetë Lavrov por edhe nga presidenti Putin, i cili deklaroi se Perëndimi “mund të përballej me armë që ende nuk kishte parë ndonjëherë”.