Drejtori i CIA-s, William J. Burns, udhëtoi për në Kabul këtë javë për t’u takuar me lidershipin Taleban, raporton “New York Times” duke cituar një zyrtar të agjencisë që kishte informacion mbi çështjen. Ky është takimi i nivelit më të lartë i një zyrtari të administratës Biden me udhëheqësit e rinj “de facto” të Afganistanit.
Burns raportohet të jetë takuar të hënën me Abdul Ghani Baradar, udhëheqësin Taleban që drejtoi negociatat me qeverinë amerikanë në Katar.
Një nga çështjet kyçe që është diskutuar është kërkesa e palës amerikane për më shumë kohë për të mbyllur operacionin e evakuimit në aeroportin e Kabulit, afati për të cilin është caktuar 31 gushti.
Ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë thënë se Shteteve të Bashkuara do t’u duhet më shumë kohë për ta përmbyllur operacionin, ndoshta deri në fund të shtatorit, por Talebanët thanë të hënën se nuk do të ndryshonin pozicion dhe prisnin largimin e amerikanëve brenda afatit të rëndë dakord.
Deri tani nuk ka asnjë koment zyrtar nga CIA apo Këshilli i Sigurisë Kombëtare mbi këtë takim, që raportohet të ketë ndodhur edhe nga “Washington Post”.