Situata e pandemisë në Itali po përkeqësohet dita-ditës, me raste të dyfishuara në pak ditë, dhe masa të reja shtrënguese, që mund të çojnë sërish në mbyllje selektive të zonave më të rrezikuara.
Opinioni publik reagoi me shumë emocion të hënën ndaj një letre të hapur të botuar nga një prej gazetarëve më të njohur në vend, drejtori i gazetës La Stampa, Massimo Giannini, 58 vjeç. Gazetari shkruan nga spitali, ku ndodhet prej ditësh duke luftuar kundër koronavirusit.
“Më falni se flas për veten, por sot ‘festoj’ 14 ditë radhazi në spital, ku 5 të fundit kanë qenë në terapi intensive, i lidhur me oksigjen dhe aparatet e parametrave jetësore. COVID-19 është i pabesë, i heshtur, por punën e bën mirë, nuk ndalon kurrë dhe ka vetëm një objektiv, të shumëfishohet, aq më mirë në një trup të ri, të freskët dhe dinamik. Po flas për veten për të thënë që vetëm kur ndodhesh në front, e ke të qartë faktin që ndodhesh në një luftë. Dhe kjo është luftë, e vërtetë, dhe zhvillohet në shtretërit e spitaleve dhe jo në talk show”, shkruan në editorialin e tij nga spitali Giannini.
Ai përshkruan gjendjen e spitalit ku ndodhet. “Kur kam hyrë në terapi intensive, ishim 15, më së shumti 60-vjeçarë. Sot jemi 54, mesatarisht 50-vjeçarë. Përtej disa si unë që janë më me fat, gjithë të tjerët janë në gjendje të rëndë. Duhet ta shohin të gjithë këtë, por njerëzit refuzojnë të kuptojnë, dhe po harrojnë gjithçka. Kamionët që transportonin kufomat në Bergamo, të moshuarit e vdekur në vetmi, madje edhe mjekët, që nuk janë më heronj si dikur… Gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhej. Na duheshin 3443 vende në terapi intensive, kemi vetëm 1300, faji i kujt është? Na mungojnë 1600 ventilatorë, faji i kujt? Duhet të merrnim në punë 81 mijë mjekë, na rezultojnë vetëm 33 mijë, me kontratë të përkohshme… Nuk bëj akuza, nuk qaj, do të doja vetëm pak seriozitet”, tregon gazetari, që përfundon letrën e tij të gjatë për lexuesit e tij me këto fjalë: “Pandemia po kufizon frymëmarrjen e demokracisë tonë. Jemi ne që duhet ta pengojmë. Por të gjithë duhet të shkojmë në një drejtim, dhe nuk po e bëjmë. Kur themi ‘gjithçka do shkojë mirë’, kjo nuk mund të jetë thjesht një shpresë, por një akt vullneti”.