Drejtori i OBSH për Europën, dr. Hans Kluge, në një konferencë të përbashkët me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se “Covid-19 nuk është grip i zakonshëm” dhe shtoi se “duhet të kujdesemi për grupet në nevojë, përfshirë të moshuarit”.
“I shpreh mirënjohjen qeverisë për përgjigjen e shpejtë dhe vendimtare ndaj pandemisë. Ishte nga të paktat vende që nuk përjetoi një valë të parë. Që nga janari, qeveria ka ngritur mekanizma të strukturuar dhe ka shtuar përpjekjet e saj për të përballuar krizën. I vlerësojmë përpjekjet e Shqipërisë për të rritur testimin dhe kapacitetet gjurmuese. Duhet të mbështesim procesin e izolimit dhe karantinimit”, tha Dr. Kluge.
“Njerëzit po lodhen prej masave kufizuese sepse është një krizë që po zgjat. Duhet të kuptojmë se çfarë i pengon ata grupe personash që nuk i respektojnë masat”, shtoi Drejtori i OBSH për Europën.
Në lidhje me testimet, dr.Kluge u shpreh: “Shqipëria ka 5 herë rritje të testimit. Por, ka një paketë masash, nuk është vetëm testimi: është gjurmimi i personit, karantinimi e më pas larja e duarve dhe higjiena. Duhet kryer një testim i shpejtë sepse testi merr pak kohë. E rëndësishme është që OBSH të vijojë koordinimin për testimin e shpejtë dhe do të mundohemi t’i sjellim sa më shpejt këto teste të shpejta”.