Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha bëri me dije gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Sigurisë se aktualisht në garën për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë janë 11 kandidatë nga 15 që aplikuan për këtë post.
“Aktualisht në dijeninë time janë skualifikuar 4 kandidatë. Procedura e përzgjedhjes do vijojë në ditët në vijim. I është dërguar institucioneve të zbatimit të ligjit, shkresë për konfirmimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve. Priten përgjigje dhe në bazë të tyre komisioni do të vlerësojë kandidatin dhe më vonë do të vijojë intervistimi. Brenda kësaj jave ministri i Brendshëm do t’i propozojë këshillit të ministrave kandidatin që do të jetë i aftë për ta fituar këtë garë”, tha Hoxha.
“Përzgjedhja e Drejtorit të ri të Policisë, dua të bëj një korrigjim. Ne nuk kemi kupolë në Polici, kemi një strukturë të mirëorganizuar në zbatim të ligjit dhe Kushtetutës. Ligji i ri i hap rrugë përzgjedhjes nëpërmjet konkurrimit dhe meritokracisë, në vijim të këtij ligji, ministri i Brendshëm shpalli thirrjen për aplikim”, sqaroi ministri.
Kandidatët që janë përjashtuar nga gara janë Sami Rasha, Shemsi Premçi, Ibrahim Disha dhe Hajrulla Xhivini.
Aktualisht në garë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë janë: Adriatik Tafçiu, Altin Mena, Ardian Çipa, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Ilir Proda, Lutfi Minxhozi, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi dhe Skënder Hita.