Aktualitet Drejtori i spitalit COVID2 jep detaje për vetëvrasjen e pacientit

Drejtori i spitalit COVID2 jep detaje për vetëvrasjen e pacientit

Drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi” Perlat Kapisyzi, ka dhënë detaje për vetëvrasjen e pacientit 53-vjeçar. Në një deklaratë për mediat, drejtori i COVID2 tha se pacienti ishte shtruar në spital në 25 tetor dhe gjatë gjithë mjekimit nuk kishte shfaqur asnjë ndryshim në sjellje.

“Na ka tronditur ne si staf i personelit shëndetësor, mjekë dhe infermierë, që punojnë 24 orë duke bërë një luftë heroike për të shpëtuar jetë njerëzit. 53-vjeçari u shtrua në 25 tetor, i cili i është nënshtruar ekzaminimeve dhe mjekimit sipas protokollit të trajtimit të pneumonisë nga SARS-COV 2.

Në emër të stafit të spitalit “Shefqet Ndroqi” i shprehim ngushëllime familjeve të pacientit. Sipas të dhënave të disponueshme që ne kemi, që nga shtrimi deri në momentin e fundit, nuk paraqiste ndryshime apo shenja psikologjike jonormale. Ky është një moment i vështirë për ne dhe do të kërkonim mbështetjen e të gjithëve“, tha Kapisyzi.

Më tej ai u pyet nga gazetarët nëse janë marrë masa në spital, pasi pacienti i sotëm është rasti i tretë që merr aktin e vetëflijimit, por kërkoi mirëkuptim dhe të respektohet kjo situatë e rëndë.

“Është momenti të respektojmë dhimbjen e familjarëve dhe dhimbjen tonë”, u shpreh drejtori Perlat Kapisyzi.

Deklarata e drejtorit vjen pak orë pas vetëvrasjes së një pacienti, i cili u hodh nga kati i katërt i spitalit “Shefqet Ndroqi”.