Drejtuesit politikë të PS-së, në 12 qarqe të vendit, raportuan të premten te kryeministri Edi Rama, për rreth pesë orë.
Axhenda përfshinte diskutimet mbi situatën aktuale dhe objektivat për secilin qark zgjedhjet e afërta lokale.
Pjesë e situatës për secilën qark kanë qenë edhe krahasimet apo sondazhet që PS-ja po zhvillon në bazë me kandidatët e primareve të deklaruara zyrtarisht nga Sali Berisha si dhe katër emrave që deri me tani kanë dalë nga grupimi “Alibeaj”.
Burime nga mbledhja kanë bërë të ditur se të gjithë kryebashkiakët që fituan me 6 mars (Vora, Rrogozhina, Lushnja, Dibra dhe Durrësit) do të rinkofirmohen si kandidatë të PS për zgjedhjet e 14 majit.
Në qarkun e Lezhës, të pasigurt e kanë rikandidimin kryetarja e bashkisë së Kurbinit dhe Mirditës për shkak të rezultateve të dobëta në sondazhe. Për Bashkinë e Vlorës, Rama ka përjashtuar nga kandidimi deputetët socialistë.
Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se projeksioni i socialistëve, sipas sondazheve të tyre, i bën ata fitues në rreth 45 bashki. Gjithashtu, në raportimin e drejtuesve politikë është kërkuar nga Rama edhe një shpjegim i detajuar mbi “censusin” e votuesve socialistë për çdo bashki, ku ndodhen votuesit e tyre të mundshëm, brenda apo jashtë vendit.
Në fund të diskutimit të gjatë ku secili drejtues i PS në nivel qarku ka pasur kohë 10 minuta për të raportuar nuk është dalë me asnjë konkluzion.
Takimi do të vijojë me të tjera mbledhje, por qëllimi kryesor ishte puna në bazë, duke u fokusuar tek kandidatët për Këshillat Bashkiake aty ku PS-ja sa duket çalon ndryshe nga emrat për kryebashkiakë.