Dridhet Interi. Jiangsu Suning klubi që deri dje ishte në pronësi të Zhang Jindong babait të presidentit të klubit zikaltër Steven Zhang është shkrirë dhe nuk do të ekzistojë më, kjo për vetë faktin pasi grupi Suning nuk do ta financojë më dhe në pamundësi për t’u regjistruar në kampionatin e vitit 2021 që do të nisë pas disa ditësh për shkak të financave, klubi nga qyteti i Jiangsu që në sezonin e kaluar u shpall kampion në Kinë, nuk do të jetë më pjesë e Superligës kineze.
Pak ditë më parë, Zhang Jindong, i cili është numri 1 i Suning, kishte deklaruar se nuk do të bëheshin më shpenzime për aktivitete të pavlera. Sporti është një prej tyre dhe Suning është tërhequr nga financimi i skuadrës së Jiangsu në Kinë, të cilën ishte munduar ta kthente në superfuqi në këtë vend,.
“Si pasojë e mbivendosjes së elementëve të ndryshëm që nuk mund të kontrollohen, Jiangsu Football Club nuk mund të garantojë më vazhdimin e aktivitetit dhe që tani e tutje, do të ndalet. Aktiviteti i çdo skuadre do të përfundojë dhe në të njëjtën kohë, presim që të vijojnë në shkallë të gjerë çështjet që kanë lidhje me zhvillimin e mëtejshëm”, njofton klubi, duke deklaruar kësisoj shkrirjen e tij.
Një situatë e pazakontë që bën edhe më të çuditshme atë që po ndodh me Interin, ku nën zë thuhet se ka probleme me pagat ndërsa presidenti Steven Zhang ka braktisur Italinë ndërsa po mundohet të gjejë blerës për klubin sa më parë që të jetë e mundur. Gjithsesi për Antonio Conten dhe futbollistët zikaltër problemet jashtë fushë nuk kanë shumë rëndësi me skuadrën që po shkon drejt vetëm një drejtimi ,atij të fitimit të titullit kampion në këtë sezon të Serie A, një trofe që mungon prej 11 vitesh në shtëpinë e Interit.