Vaksina e Johnson & Johnson është e sigurt dhe e efektshme kundër koronavirusit, me një dozë të vetme. Ky është konstatimi shpresëdhënës i rregullatorëve amerikanë, të cilët brenda pak ditësh pritet t’i japin dritën jeshile për përdorim.
Vaksina do të ishte një alternativë më pak e kushtueshme ndaj atyre Pfizer dhe Moderna dhe mund të ruhet në temperaturë normale frigoriferike. Rezultatet e eksperimenteve u publikuan nga Johnson&Johnson muajin e kaluar. Kompania belge Janssen, e cila është në pronësi të gjigantit farmaceutik, tha se të dhënat sugjeronin efektshmëri të lartë të produktit në parandalimin e ndërlikimeve të rënda nga Covid-19.
Agjencia Amerikane e Ushqimeve dhe Barnave jep më shumë detaje lidhur me të dhënat e ofruar nga Janssen. Ajo arriti në përfundimin se vaksina e Johnson & Johnsn ofron mbrojtje si nga covid-i simptomatik ashtu edhe nga sëmundja e rëndë.
Rezultatet e testimit të vaksinës të zhvilluara në SHBA, Afrikën e Jugut dhe Brazil treguan se efektshmëria e saj ndaj varianteve më të këqija të virusit ishte po aq e lartë, përveçse në Afrikën e Jugut dhe Brazil, ku variantet janë bërë dominante.
Të dhënat treguan se vaksina ishte 85% e efektshme në parandalimin e sëmundjes së rëndë. Për t’u theksuar është se asnjë vdekje apo shtrim në spital nuk u raportua mes personave që kishin marrë vaksinën.