Zbardhen detaje të reja nga hetimet e SPAK për laboratorin e drogës që u zbulua në Qerekë të Fushë Krujës. Lëkura e gjedhëve ku ishte e implementuar droga është duke u analizuar nga ekspertët në mënyrë që të përcaktohet qartë sa është sasia e drogës që ka mbërritur në vendin tonë.
Po ashtu hetuesit janë duke parë dhe mënyrën se si kanë hyrë në Shqipëri pajisjet për ndarjen e drogës të cilat kanë një kosto shumë të madhe pasi janë të teknologjisë së fundit. Lëkurat e gjedhëve vinin nga Brazili dhe vendet e tjera të Amerikës Latine.
Grupi i trafikantëve dyshohet se ka përdorur një kompani në Shqipëri e cila importonte lëkurët të cilat përdoren për të bërë çanta e produkte të tjera.
Hetimi ka nisur mbi 1 vit më parë nga ana e autoriteteve spanjolle pasi kanë bllokuar një sasi lënde narkotike, e sjellë në të njëjtën mënyrë në Spanjë.
Agjencitë e huaja ligjzbatuese kanë sinjalizuar SPAK, pas dyshimeve se janë përfshirë edhe shtetas shqiptarë.
Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme kishte disa muaj që ishte në dijeni të laboratorit të drogës në Qerekë të Fushë-Krujës dhe e kanë mbajtur nën vëzhgim, deri sa ka mbërritur sasia e lëndës narkotike në lëkurën e gjedhëve.
Përpos laboratorit kryesor, grupi kishte edhe dy baza të tjera, një në zonën e Kodrës së Diellit 2 dhe një tjetër në afërsi të Portit të Durrësit.
Po të njëjtat burime konfimojnë se të gjithë personat e arrestuar kanë qenë nën vëzhgim dhe është lejuar nga prokuroria që të bëhej edhe ndarja e një pjesë të lëndës narkotike, nga shtetasit e huaj të cilet kishin ardhur në Shqipëri.
Ata kishin marrë një vilë me qira në kompleksin e Kodra e Diellit në mënyrë që të mos zbuloheshin nga ana e autoriteteve tona të drejtësisë.
SPAK është duke kryer hetime për të zbuluar edhe grupet e tjera të cilët janë të përfshirë në këtë çështje.
10 të arrestuarit me tyre edhe 3 të huaj, një venezuelian dhe dy kolumbianë do të përballen në Gjykatën e Posaçme të hënën në orën 09:30 për verifikimin e masave të sigurimit.