Aktualitet Drogë dhe armë në banesën e policit, AMP: Pranga 4 personave në...

Drogë dhe armë në banesën e policit, AMP: Pranga 4 personave në Fier

Katër persona kanë rënë në prangat e policisë këtë të Shtunë në Fier. Siç njofton AMP, pas kontrollit të banesës së policit Lorenc Gropa, janë gjetur kokainë, cigare hashashi, 2 armë zjarri dhe 11 aparate celularë.

Janë arrestuar edhe Klevis e Ledjon Gropa. Këta të fundit bashkë me policin akuzohen për prodhim e shitje droge, aktivitet të cilin e kryenin në një bar-kafe në Patos.

Sipas AMP, në pranga ka rënë dhe Skerdilajd Levendi. Ai në bashkëpunim me persona të tjerë akuzohet për trafikim armësh e municionesh në Greqi.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat), në kuadër të hetimit proaktiv me metoda speciale, finalizoi operacionin për goditjen e një grupi kriminal në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, duke arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë L.G., me detyrë Trup Shërbimi i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit Fier, si dhe shtetasit K.G. dhe L.G., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, veprimtari të cilën dyshohet se e kryenin në ambientet e një bar kafe, në Patos.

Nga kontrolli i banesës së punonjësit të policisë L.G. u sekuestruan në cilësinë e provave materiale një qese me pluhur të bardhë, në dukje lëndë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 41,25 gr, 2 cigare me lëndë narkotike hashash, 2 peshore për peshimin e lëndës narkotike, një armë zjarri tip TT, një armë zjarri e llojit Karabinë dhe 11 aparate celularë. Nga veprimet hetimore progresive në vijimësi si deklarimet dhe këqyrja e telefonave, u dokumentua implikimi në trafikun e armëve në shtetin grek të shtetasit S.L., i cili u arrestua për “Trafikim i armëve dhe municioneve”, pasi ai negocionte me shtetas të tjerë në lidhje me këtë veprimtari të paligjshme. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasi B.F., i dyshuar për “Organizim i lojërave të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e ambjenteve për lojëra të palejuara”, si dhe shtetasi M.G., i dyshuar për “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, thotë AMP.