Policia malazeze shkatërroi një grup kriminal që dyshohet se drejtohej nga një shqiptar dhe që mendohet të ketë trafikuar rreth 1 ton kanabis vetëm gjatë vitit të fundit.
Në pranga është vënë 27-vjeçari, Ndue Pepaj banues në Malësinë e Madhe, i cili njihet edhe si pronar i një lokali.
Përveç 928 kg kanabis, grupi dyshohet se ka trafikuar nga Shqipëria drejt Malit të Zi edhe 2 kilogramë heroinë dhe disa kilogramë përzierës.
Që nga nisja e operacionit të koduar “Mashtrimi”, policia ka vënë në pranga gjithsej 11 persona mes tyre edhe disa shqiptarë nga Tuzi i Malit të Zi.
Disa shtëpi u kontrolluan nga policia në Podgoricë, ndërsa në njërën prej tyre u gjet edhe një armë e groposur.
Policia nuk ka dhënë detaje mbi mënyrën e trafikimit, ndërsa ndaj 27-vjeçarit Ndue Pepaj janë ngritur akuzat e krijimit të grupit të strukturuar kriminal dhe trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.