Një 21-vjeçar është arrestuar në aeroportin e Rinasit, pasi ka trafikuar nga Dubai në Tiranë, 26 kg e 700 gramë lëndë narkotike kanabis.
Droga ishte fshehur në bagazhet e të riut nga Luksemburgu, ndërsa policia po heton për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas në bashkëpunim me autoritetet doganore në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në veçanti të trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas që do të udhëtonte nga Dubai drejt Rinasit, kishte fshehur në bagazhet e tij, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fluturimi”. Gjatë këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit B. T., 21 vjeç, banues në Luksemburg. Gjatë kontrollit në bagazhet e 21-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 26 kilogramë e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis”, njofton policia.