Një burrë në Francë ka dalë para gjyqit pasi në mënyrë të përsëritur ka droguar dhe përdhunuar bashkëshorten e tij si dhe ka rekrutuar njerëz të tjerë të panjohur që të bënin të njëjtën gjë.
I akuzuarit, një 71-vjeçar i identifikuar si Dominique P, akuzohet se përgjatë një dekade, rekrutonte online njerëz të panjohur që do të abuzonin më pas seksualisht me gruan e tij. Avokati i saj tha se ajo drogohej aq shumë sa nuk i mbante mend abuzimet, raporton BBC.
Çështja ka shkaktuar reagime të shumta në Francë. Policia ka arritur të zbulojë se gruaja është përdhunuar të paktën 92 herë nga 72 meshkuj. 50 prej tyre janë identifikuar dhe kanë dalë në gjyq si të pandehur bashkë me burrin e viktimës.
Gruaja, tashmë 72 vjeç, mësoi mbi abuzimet në vitin 2020 pasi ishte informuar nga policia. Burri i saj u hetua nga policia fillimisht pas një incidenti në shtator të atij viti, kur ai u kap nga një roje sigurie duke filmuar me kamera poshtë fundeve të grave në një qendër tregtare.
Më pas policia gjetiu qindra fotografi dhe video të gruas së tij në kompjuter, ku ajo dukej se ishte pa ndjenja. Abuzimet besohet se kanë nisur në vitin 2011. Dominique P. futej në një faqen online ku rekrutonte të panjohurit që t’i shkonin në shtëpi dhe të përdhunonin gruan.
Ai pranoi se i kishte dhënë bashkëshortes qetësues të fuqishëm. I pandehuri akuzohet gjithashtu se ka marrë pjesë në përdhunime, duke i filmuar dhe duke i inkurajuar të pranishmit e tjerë që të përdornin gjuhë degraduese, shkruan BBC.
Të pandehurit e tjerë janë të moshave 26 deri 74 vjeç. Shumica prej tyre kanë marrë pjesë vetëm nga një herë në abuzim, por disa të tjerë kanë abuzuar vazhdimisht me viktimën.
Avokatët mbrojtës të të akuzuarve thanë se ata thjesht po realizonin fantazitë seksuale të çiftit, por bashkëshorti tha se të gjithë ishin në dijeni që gruaja ishte droguar pa dijeninë e saj.
Dominique P., është akuzuar në vitin 1991 për vrasje dhe përdhunim, akuza që i mohon, ndërsa është akuzuar edhe për një tentativë për përdhunim në vitin 1999, të cilën e ka pranuar pas analizave të ADN-së.
Të hënën, në seancën e parë gjyqësore, gruaja u paraqit në gjyq e shoqëruar nga tre fëmijët e saj. Avokatja e saj tha për AFP se do të kishte dashur një gjyq me dyer të mbyllura, por kjo do të kishte qenë në të mirë të të pandehurve.