Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar se inteligjenca operative ka administruar të dhëna për planet e një grupi kriminal për të futur sende të ndaluara në burgun e Burrelit. Në përgjigje të saj, thuhet se janë përdorur teknologji për të parandaluar çdo përpjekje për të realizuar qëllimin kriminal.
”Inteligjenca operative e sistemit ka administruar të dhëna të besueshme mbi planet e një grupi kriminal për të futur sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel. Në përgjigje të kësaj, janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përdorur teknologji digjitale të avancuar, për të parandaluar çdo përpjekje për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale.”
Droni i kapur nuk përmbante sende të ndaluara, por hetimet kanë treguar një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme.
“Aktualisht, pajisja fluturuese do t’i nënshtrohet ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare, dhe më pas ekspertimit kompjuterik për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje. Po kryhen veprimet e para procedurale, dhe materialet përkatëse do të referohen në prokurorinë respektive.”
Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera inteligjente po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve jashtë regjimit të burgut.