Pak orë para ndeshjes Itali-Shqipëri, që do të luhet në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, kryeministri Edi Rama ka shprehur opinionin e tij për sfidën në një intervistë për “TuttoSport”.
Shefi i qeverisë si një tifoz i deklaruar italian, tha se do ta ndjekë ndeshjen nga tribunat e stadiumit dhe dëshiron që sot kuqezinjtë dhe axurrët të ndahen me një barazim, rezultat që do të komplikonte Grupin B.
“E pabesueshme. Do të jetë hera e parë dhe shpresoj e fundit në jetën time, që dëshiroj që Italia të mos fitojë një ndeshje në Kampionatin Europian. Por gjithsesi, mua do më pëlqente më mirë një barazim, i cili për kuqezinjtë tanë do ngjante si një fitore. E di që për “axurrët”, një barazim me Shqipërinë do ishte fillimi i një gjyqi ndaj Spalletit. Por, për fat të keq, Italisë nuk mund t’i uroj asgjë më shumë se një barazim”.
Nisur dhe nga fakti që mbi 50 mijë tifozë shqiptarë do të veshin kuqezi “Murin e Verdhë” të Dortmundit, Rama nënvizon se djemtë e Spalletit duhet t’i tremben lojtarit të 12-të të Kombëtares tonë.
“Duhet t’i frikësoheni supermacisë së qartë të Shqipërisë në tribuna, ku sigurisht fitojmë. Jemi një skuadër që nuk kemi se çfarë të humbim. Mund të përfundojë në çdo rast, por duke qenë se Italia nuk shkëlqen kurrë në fillimin e një turneu, mund të shpresoj në një barazim. Kjo është Kombëtarja shqiptare me lojën më të mirë që mbaj mend. Grupi u kualifikua duke bërë gjithmonë futboll të mirë dhe nganjëherë, një lojë emocionuese. Nuk është Tirana që mezi po pret me padurim këtë Europian. Në këtë Kombëtare bashkohen me Shqipërinë edhe populli i Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët në të gjitha pjesët e botës. Lojtari jonë i dymbëdhjetë përbëhet nga 10 milionë zemra dhe në Dortmund do të jetë një ortek kuq e zi.”
I pyetur edhe për Juventusin, me të cilin kryeministri shqiptar ka një lidhje të fortë, Rama “i tërhoqi” veshin klubit për mënyrën si larguan teknikun Allegri, ndërsa vlerësoi Tiago Motën, i cili sapo ka nënshkruar një kontratë 3 vjeçare me klubin torinez.
“Allegrin nuk e mbështeste më askush dhe kjo mund të vërehej edhe para se të faktohej publikisht. Ai shkroi historinë e Juventusit. Ai nuk u largua me të gjithë nderimet që meritonte. Kjo nuk është një shenjë e mirë për klubin. Nga Tiago Mota pritet shumë dhe talenti i tij është i padyshimtë. Shpresoj që ai të përballoj presionin e madh që do të ketë si trajneri i Juves.”
Në fund një sugjerim, Rama e pati për teknikun e ri dhe drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”, duke i kërkuar të nënshkruajnë me mbrojtësin e Kombëtares kuqezi, Mario Mitaj.
“Cilin lojtar të Kombëtares shqiptare do të rekomandonit për në Torino?”, ishte pyetja e gazetarit, të cilës Rama iu përgjigj: “Mario Mitaj, një mbrojtës krahu 20-vjeçar me një këmbë të majtë të mirë.”
Sa i përket të kundërtës, Rama tha se i vetmi lojtar italian që do të dëshironte të kishte te Kombëtarja shqiptare është portieri dhe kapiteni axurr. “Donaruma, pa asnjë dyshim”, tha ai.