Dua Lipa po dominon në tregun muzikor ndërkombëtar, falë talentit dhe punës së palodhur. Ylli i muzikës pop ka dhënë së fundmi një intervistë për “CBS News” ku ka rrëfyer rrugëtimin e saj nga Kosova drejt suksesit ndërkombëtar. Albumi i saj është transmetuar më shumë se 7 miliardë herë në Spotify.
Javën e kaluar, 25-vjeçarja shqiptare u nominua për disa çmime të rëndësishme për Grammy për albumin e dytë “Future Nostalgia”, të publikuar pikërisht në fillim të pandemisë. “Dua të them, asnjëherë në një milion vjet nuk kam menduar se do të duhej të arrija një rekord gjatë një kohe të tillë”, tha Dua.
Pasi pandemia shtyu turneun e saj botëror për herë të dytë, Lipa mbajti një koncert virtual që gjithashtu theu rekorde shikueshmërie. Lipa e cila lindi në Angli, por u kthye me familjen në Kosovë kur ishte vetëm 11 vjeç rrëfen se si arriti t’i binte prindërit të kthehej përsëri në Londër në moshën 15-vjeçare.
“Unë isha si, dua të bëj muzikë, por dua ta bëj atë në një shkallë globale. Unë duhet të kthehem atje ku po ndodh gjithçka. Unë jam mjaft bindëse, qartë! Prindërit e mi më thoshin ‘Çfarë po bën? A je e sigurt se kjo është ajo që dëshiron të bësh?’. Dhe unë u thosha ‘Po, thjesht do të vazhdoj të shkoj”, është shprehur Lipa.
Dua më tej është shprehur se nuk e kishte menduar kurrë se do të merrte kaq shumë famë me këngën e saj të parë. “Kurrë nuk kam menduar se kjo do të ndodhte me këngën time të parë. Me të vërtetë i kaloi plotësisht të gjitha pritshmëritë e mia. Shumë njerëz më bënin të ndihesha sikur isha paksa e padenjë për të“, tha Dua duke iu referuar suksesit që ka arritur.