Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, nuk ka hezituar asnjëherë që nëpër media të tregojë bindjet e saj politike.
Së fundmi, ajo ka treguar se mbështet kandidatin demokrat, Joe Biden, i cili po kandidon për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një video të realizuar për komunitetin e shqiptarëve në SHBA që po rreshtohen përkrah Biden, Dua Lipa ka treguar arsyet se pse po e mbështet kandidatin demokrat.
“Përshëndetje të gjithëve, është Dua Lipa këtu. Vota juaj nuk ka qenë kurrë kaq e plotfuqishme. Joe Biden qëndroi me ne kur Kosova u ballafaqua me një katastrofë njerëzore. Dhe ai dhe Kamala Harris besuan në demokraci dhe institucionet ndërkombëtare. Për ju që po votoni për herë të parë, jam kaq krenare, bëjeni një ditë që mbahet mend, sillni familjarët tuaj dhe bëjeni një ditë për t’u festuar. Bëhuni ndryshimi që na duhet”, thotë këngëtarja.
Dua Lipa ka treguar edhe herë të tjera hapur qëndrimet e saj politike. Vitin e kaluar, ajo kishte kundërshtuar përmes rrjeteve sociale zgjedhjen kryeministër të Britanisë së Madhe, Boris Johnson.